Lajme

Në tremujorin e parë të vitit 2022 në Kosovë janë regjistruar 2 mijë e 835 ndërmarrje

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë publike Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet

Ekonomike në Kosovë për tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2022.

Në bazë të raportit vërehet se gjatë këtij tre mujori në Kosovë janë regjistruar 2 mijë e 835 ndërmarrje.

“Në TM2 2022 gjithsej janë regjistruar 2 835 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM1 2022) ka rritje për 0.1% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2021) ka një rritje për 0.8% të ndërmarrjeve të regjistruara”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Po ashtu janë bërë të ditura edhe aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tre mujori.

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave, me 692 ndërmarrje të regjistruara (24.4%);Akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 332 ndërmarrje të regjistruara (11.7%); Ndërtimtari me 299 ndërmarrje të regjistruara (10.5%); Prodhim me 286 ndërmarrje të regjistruara (10.1%); Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 266 ndërmarrje të regjistruara (9.4%)”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 809 ndërmarrje të regjistruara, Ferizaj me 236 ndërmarrje të regjistruara, Prizreni me 220 ndërmarrje të regjistruara, Gjilani me 159 ndërmarrje të regjistruara, Peja me 156 ndërmarrje të regjistruara dhe Mitrovica me 129 ndërmarrje të regjistruara./Shqip.com