Lajme

Në Shkup me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Rama publikon pamjet e takimit

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Shkup, aty ku të nesërmen (22 janar) pritet të mbahet takimi i liderve të Ballkanit Perëndimor me zyrtarë të BE-së në kuadër të planit për rritje ekonomike te rajonit.

Rama ka publikuar një foto me ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit James O’Brien, i cili gjithashtu është i pranishëm në darkën që do të mbahet mbrëmjen e sotme mes liderve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE e SHBA.

“Shkup – Me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James O’Brien, në vigjilje të darkës së punës mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të lartë të administratës amerikane e të BE”- shkruan Rama krahas fotove të publikuara.

Samiti rajonal për planin e rritjes ekonomike të Ballkanit Perëndimor, i organizuar nga Komisioni Evropian fillon të hënën në orën 09:00 dhe pas takimit të liderëve, samiti do të mbyllet me një konferencë të përbashkët shtypi.

Në takim do të marrin pjesë:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Srgjan Amixhiç, ministër aktual i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnje- Hercegovinës,

Milojko Spaiq, kryetari i Qeverisë së Malit të Zi,

Gert Jan Kopman, drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian,

James O’Brien, ndihmës Sekretari i Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë që ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

/Shqip.com