Lajme

Në QKUK brenda një muaji infektohen mbi 100 mjekë dhe infermierë

Foto ilustruese

Një rritje kaq e lartë infektimesh në Kosovë, me afër katër mijë të infektuar në ditë nuk është shënuar që nga muaji gusht i vitit të shkuar, kur Kosova u përball me situatë të rëndë shëndetësore me Coronavirus.

Nga varianti, Omicron nuk kanë shpëtuar as punëtorët shëndetësor, të cilët çdo ditë ballafaqohen me pacientë.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, në një përgjigje për Shqip.com, kanë deklaruar se në muajin janar janë përballur me numër të madh infektimesh të punëtorëve shëndetësor.

“Nga 1 janari 2022 deri më 26 janar, në Klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë infektuar 136 mjekë dhe 261 infermierë, në total janë 397 punëtorë shëndetësor”, kanë deklaruar për Shqip-in.

Se mungesa e tyre, shkakton ngecje në punë dhe vështirësi, e thonë edhe nga SHSKUK.

“Mungesa e tyre e vështirëson punên, por përmes komsionit për riorganizim të stafit, ka pasur lëvizje të stafit. Dhe, në klinikat COVID nuk është vërejtur shumë mungesa meqë koha e izolimit për punonjësit shëndetësor është reduktuar”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Qendra e COVID-19

Në anën tjetër, SHSKUK ka vendosur të njohë testet rapide për stafin shëndetësor.

“Bazuar në konkluzionet e Komitetit të ShSKUK-së të datës 27 janar 2022 për ngritjen e gatishmërisë dhe menaxhimit të situatës me Covid-19 -Çdo të punësuari të ShSKUK-së (personeli shëndetësor dhe jo shëndetësor) i njihet testi rapid si test konfirmues për Covid-19 pozitiv, por i njëjti duhet të bëhet brenda institucionit, të regjistrohet në librat e protokolit dhe të lëshohet raport me shkrim nga mjeku i klinikës, spitalit apo institucionit përkatës. Për rezultatet e testeve duhet të njoftohet IKShPK konform normave rregullative”, thuhet në njoftim.

Fillimisht, ky test me rezultat pozitiv në COVID-19 tek mantel bardhët nuk shërbente si dëshmi e besueshme për eprorët e tyre.

Ndaj si konfirmim i kësaj u kërkohej testim shtesë, atë me PCR.

Në Kosovë, gjatë 24 orëve të fundit kanë vdekur gjashtë persona ndërsa janë shënuar tre mijë e 917 raste të reja./Shqip.com