Lajme

Në Podujevë nxënësit nuk po u përgjigjen pozitivisht kompensimit të orëve të shtunave

Ilustrim

Në të gjitha shkollat në komunën e Podujevës ka dy javë që të shtunave po mbahet procesi mësimor, por është një numër i madh i nxënësve që nuk kanë shfaqur gatishmërinë për të ndjekur mësimet në ditën e parë të vikendit.

Nga sindikata e arsimit në këtë komunë kanë thënë për Shqip.com, se refuzimi i mbajtjes së mësimit po ndodh për shkak të kundërshtimit të prindërve.

“Zëvendësimin i orëve të humbura gjatë grevës e vlerësoj si të dështuar sepse nxënësit nuk po u përgjigjen thirrjeve të drejtorëve të shkollave, por po i dëgjojnë prindërit tyre. Sindikata e Arsimit mësimdhënësit në Komunën e Podujevës i ka lejuar që të jenë të lirë dhe vetë të vendosin se a dëshirojnë t’i zëvendësojnë orët e humbura gjatë grevës. Edhe këtë të shtunë mësimdhënësit kanë qenë në vendet e tyre të punës, por numri i nxënësve ka qenë simbolik”, ka thënë kryetari i sindikatës, Fadil Halimi.

Tutje Halimi ka thënë se miratimi i kalendarit mësimor nga MASHTI pa dakordim me sindikatën dhe këshillin e prindërve, ka acaruar këta të fundit.

“As prindërit nuk po pajtohen me kalendarin e ri të Ministrisë së Arsimit për kompensimin orëve të humbura mësimore gjatë grevës sepse ky kalendar është hartuar një anshëm pa u konsultuar Sindikata e Arsimit dhe Këshilli i Prindërve”.

Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Jeton Demi, ka thënë që prindërit kanë dhënë disa arsye pse të shtunave të mos mbahet procesi mësimor.

“E para se vitin e kaluar kjo ka sjell vetëm lodhje e mërzitje të fëmijëve, por edhe pamundësimin e zhvillimit të aktivitetit jashtëshkollor dhe relaksimit. Pra nuk funksionon, nuk është e pranueshme as për prindërit që e kanë ditë pushimi, e sidomos për fëmijët”, tha Demi.

Ai ka bërë të ditur se prindërit kanë dhënë propozime për mbulimin e orëve të humbura, por të njëjat nuk janë marrë parasysh.

“Ne kemi propozuar që çështja e kompensimit të delegohet në shkolla dhe jo të bëhet me kalendar të ri e krejt njëanshëm. Fëmijët e prindërit janë kategorik kundër të shtunave, bile kanë vërejtje edhe për heqjen e pushimeve dimërore e pranverore”.

Podujeva është vetëm një nga komunat, të cilat po përballen me mungesë së gatishmërisë së fëmijëve për të ndjekur procesin mësimor.

Shqip.com, ka mësuar se në disa shkolla, prindërit kanë propozuar votim për mbajtjen ose jo të mësimit gjatë së shtunave, derisa në disa të tjera mësuesit vetëm shkojnë në shkollë sa për të vërtetuar praninë e tyre, pasi nxënësit u mungojnë për të mbajtur orët e mësimit.

MASHTI paralajmëron masa ndaj atyre që e pengojnë kompensimin e orëve të humbura

Derisa prindërit dhe sindikata mbesin kundër mbajtjes së mësimit gjatë të shtunave, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka paralajmëruar masa ndaj atyre që pengojnë vendimin për zbatimin e orëve të humbura.

Këshilltari ligjor i ministres së Arsimit, Valdrin Dervishaj ka thënë për Shqip.com, se janë duke i analizuar të dhënat nga Inspektorati Arsimor.

“Do të marrim të gjitha veprimet që e ndihmojnë zbatimin e vendimit dhe veprimet, të cilat parashihen ndaj atyre që pengojnë zbatimin e vendimit. Humbjet në arsim janë të mëdha nga pandemia, prandaj nuk mund të tolerohen humbje tjera”, tha Dervishaj.

Këshilltari i ministres së Arsimit, tha se komunave ju është dërguar edhe material informues që të dërgohet në shkolla lidhur me detyrimet ligjore për zbatimin e vendimit.

“Komunat duhet të sigurohen që informacionet janë dërguar të plota në lidhje me zbatim të kalendarit dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet në kuadër të kompetencave të tyre në zbatim të vendimit. Po ashtu, gjatë javës së kaluar kemi dërguar një qarkore informuese tek komunat në mënyrë që ta përcjellin në shkolla me informacione të plota për detyrimin ligjor për zbatim të vendimit”, ka deklaruar Dervishaj.

Bajrami:  Nagavci duhet të shkarkohet menjëherë, në rast se mësimi dështon edhe të shtunën e ardhshme – SHQIP.com

Kujtojmë se ish-ministrja e Arsimit dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri Kurti duhet t’i kërkojë përgjegjësi ministres, Arbërie Nagavcit, për dështimin e zëvendësimit të mësimit, që dy të shtunë radhazi.

Ajo ka thënë se nëse dështon mësimi edhe të shtunën e ardhshme, atëherë kryeministri duhet ta shkarkojë menjëherë ministren Nagavci.

“Arbërie Nagavci është përgjegjëse pse dështoi edhe këtë të shtunë zëvendësimi i orëve mësimore. Kryepërgjegjësi është Albin Kurti, i cili po e toleron një ministre të tallet me mijëra fëmijë e familje”, ka shkruar Bajrami.

E në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se mësimdhënësit që nuk do ta mbajnë procesin mësimor, nuk do të kompensohen.

Ndërsa, SBASHK-u, ka deklaruar se orët nuk do të kompensohen dhe sipas tyre nuk kanë frikë nga “kërcënimet” e ministrisë.

Shqip.com ka kontaktuar SBASHK-un për të marrë një qëndrim lidhur me dështimin e procesit mësimor në dy të shtunë radhazi, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

/Shqip.com