Lajme

Në përfundim të vizitës në Washington, Krasniqi zhvillon takime në selinë e Këshillit Atlantik

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tash e një javë është duke qëndruar në SHBA, me që rast ka zhvilluar takime të ndryshme me zyrtarë të politikës amerikane.

Në përfundim të vizitës në kryqytetin Washington, ai ka qëndruar në selinë e Këshillit Atlantik, në njërën prej organizatave amerikane më me ndikim në fushën e çështjeve ndërkombëtare.

Përmes rrjetit Facebook, Krasniqi ka shkruar se aty është takuar me drejtorin e Qendrës Evropiane, ku është shprehur qëndrimi se Kosova e ka për qëllim anëtarësimin në organizatat euroatlantike.

“Në këtë kontekst, me Drejtorin e Qendrës Evropiane, Jörn Fleck, dhe zyrtarë të tjerë të Këshillit Atlantik, kishim një diskutim të hapur dhe përmbajtësor lidhur me sfidat politike, ekonomike dhe ato të sigurisë, nëpër të cilat po kalon vendi dhe rajoni ynë.

Edhe këtu, unë shpreha qëndrimin dhe synimin e paalternativë të popullit të Kosovës për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, NATO dhe OKB”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje, i pari i PDK-së, ka shkruar se së bashku me SHBA-të, do të angazhohen për hartimin e strategjive politike për të ndërtuar një vend më të sigurt dhe më prosperues.

/Shqip.com