Lajme Drejtori komunal i arsimit në Komunën e Skenderajt, Kastriot Duraku, tha për Shqip.com, se në nivel komune, janë të punësuar vetëm tre psikologë.

Në mungesë të psikologëve shkollor, mësimdhënësit detyrohen të luajnë këtë rol

Shkollat

Gjimnazi “Hamëz Jashari” në Skenderaj, ka vetëm një pedagog dhe asnjë psikolog shkollor.

Për 569 nxënës të kësaj shkolle, rolin e psikologut duhet ta kryejnë shpeshherë mësimdhënësit.

Një nga arsimtarët që i bie shpesh të luaj rolin e psikologut është edhe Basri Jashari, që ka në kujdestari, klasën e XI-të në këtë gjimnaz.

“Si kujdestar i klasës kam pasur raste të shpeshta kur është dashur që të luhet roli i psikologut. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me klasën time, por edhe me nxënës të klasave të tjera”, tha për Shqip.com, Basri Jashari.

Sipas tij, me praninë e psikologut në shkolla, do të zvogëloheshin problemet me të cilat ballafaqohen nxënësit.

“Psikologu është shumë i rëndësishëm për shkollën tonë, si dhe në të gjitha shkollat, të cilat nuk kanë psikolog. Mendoj që psikologu kishte me pas rol shumë të rëndësishëm në zvogëlimin e problemeve të ndryshme të nxënësve, sidomos në rastet e ngacmimeve në mes tyre, bullizmi, parandalimi i shprehive”.

Të nevojshëm angazhimin e psikologëve e shohin edhe drejtuesit e gjimnazit.

“Është shumë i nevojshëm që të kemi pedagog ose psikolog nëpër shkolla, sepse ata na ndihmojnë në trajtimin e problemeve sidomos në ato që janë prezente në mes adoleshentëve”, ka thënë për Shqip.com, drejtori i gjimnazit, Hajdar Beka.

Vetëm tre psikologë shkollorë në nivel komune në Skenderaj

Komuna e Skenderajt ka gjithsej 26 shkolla, duke përfshirë edhe tri shkolla të mesme por, janë të punësuar vetëm tre psikologë shkollorë.

Sipas drejtorit komunal për arsim, Kastriot Duraku, në këtë komunë, vetëm pesë shkolla mbulohen nga këta tre psikologë.

“Kemi 3 psikologë, dy punojnë vetëm në nga një shkollë, ndërsa i treti punon në tri shkolla”, tha Kastriot Duraku.

Ai ka vlerësuar të panevojshëm angazhimin e psikologëve në ato shkolla ku ka pedagogë.

“Komuna e Skenderajt pothuajse të gjitha shkollat i ka të mbuluar me shërbimin profesional, Psikolog ose Pedagog shkolle. Në ato shkolla ku ka Pedagogë nuk ka nevojë të këtë dhe Psikolog sipas UA-së për përzgjedhje të shërbimit profesional në shkolla”.

Por, me këtë konstatim nuk pajtohen drejtuesit e gjimnazit “Hamëz Jashari”.

“Me qenë edhe një psikolog është më mirë. Do t’i ndihmonte nxënësit që të këshillohen dhe t’i shprehin mendimet e tyre, ku shumica e nxënësve kanë rezerva të bisedojnë me prindërit e tyre për problemet qe i preokupojnë në këtë moshë”, thotë drejtori Hajdar Beka.

Nagavci: Komunat të shpallin konkurse për psikologë në shkolla – SHQIP.com

Drejtues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë njoftuar pak kohë me parë se në grantin e arsimit, Qeveria i ka të miratuara 520 pozita për psikologë në shkolla.

Sipas ministres, Arbërie Nagavci, vetëm 1/3 e këtyre pozitave, tashmë janë të punësuar, derisa ka thënë se roli i psikologëve dhe pedagogëve në shkolla është shumë i rëndësishëm, duke kërkuar nga komunat që ta trajtojnë këtë çështje me shumë seriozitet.

/Shqip.com