Lajme

Në mungesë të mbrojtësit, anulohet seanca ndaj Shaban Gogajt

Seanca gjyqëore ndaj Shaban Gogajt

Në mungesë të mbrojtësit, është anuluar seanca ndaj Shaban Gogaj, i cili po akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit, Agonis Tetaj.

Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Besnik Berisha, është përjashtuar në seancën e kaluar.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti.

“Si rezultat i përjashtimit të mbrojtësit të tij, i njëjti nuk ka mbrojtës tjetër andaj nuk ka kushte për mbajtjen e seancës”, tha Zhuti për Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, më 28 qershor 2021, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, e ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e Shaban Gogaj.

Kjo pasi, avokati Berisha i ishte drejtuar trupit gjykues me fjalët “paragjykues të çështjes penale”. Fillimisht, për këtë ai është dënuar me 500 euro gjobë, për çka, avokati Berisha nuk ka ngelur i befasuar e duke u shprehur me fjalët “shyqyr që ekzistojnë shkallët e tjera”. Pas kësaj, gjykatësja Husaj-Rugova mori aktvendim për përjashtimin e tij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje ka privuar nga jeta Agonis Tetajn./SHQIP.com