Në Kosovë shënohet Dita Botërore e Fëmijëve

Me qëllim të shënimit të 20 nëntorit – Ditës Botërore të Fëmijëve, është mbajtur takimi i radhës i Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini tha se çështja e të drejtave të fëmijëve është prioritet i qeverisë.
Ai tha se në 14 komuna janë themeluar ekipe për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
“Jemi të obliguar që të hartojmë dokumentin për zbatimin e konventës. Presim që deri në dhjetor të kemi një dhjetor në detaje për zbatimin e kësaj konvente dhe vështirësitë. I kemi kushtuar vëmendje ngritjes së kapaciteteve të institucioneve. Ne si këshill për të drejtat e fëmijëve të bëjmë një agjendë, një vision paraprak si ta eliminojmë rrezikshmërinë e punës tek fëmijët”, tha ai.
Zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi theksoi se po punohet në implementimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Ajo theksoi se Kosova vazhdon të përballet me mungesë të të dhënave për zbatimin e të drejtave të fëmijëve.
“Një ndër të arriturat më domethënëse është hartimi i raportit shtetëror për zbatimin e konventës për të drejtat e fëmijës. Veprim ky që shpreh gatishmërinë dhe vullnetin e mirë politik të qeverisë së Kosovës që të marrë përsipër për t’i përmbushur obligimet ndërkombëtare të cilat sigurojnë realizimin e të gjitha të drejtave themelore”, shtoi ajo.
/Shqip.com