Lajme

Në Kosovë, llogaritë e rreme në internet po ushqejnë tensionet

Foto ilustruese / Foto: Igor Vujicic

Kur në Kosovë shfaqen kriza, llogaritë e rreme në Facebook dhe Twitter i hedhin benzinë zjarrit. Data gjashtë janar e këtij viti nisi si shumica e të premteve të tjera në Kosovë.

Por ndërsa serbët etnikë po përgatiteshin të festonin Krishtlindjen Ortodokse të nesërmen, të shtënat me armë zjarri pranë qytetit lindor me shumicë serbe të Shtërpcës e prishën qetësinë.

Dy të rinj serbë, pjesë e një grupi që mbante pemët e Krishtlindjes, u plagosën kur një anëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK, shtiu me armë zjarri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Facebook për ta dënuar incidentin dhe u uroi të lënduarve shërim të shpejtë. Dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, u shfaqën 25 llogari të rreme të mbushura me komente plot urrejtje. Njëra prej tyre i përshkroi shqiptarët e Kosovës si njerëz të dhunshëm që synojnë “të vrasin sa më shumë serbë të jetë e mundur”.

Ditë më parë, një fenomen i ngjashëm mund të shihej kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Twitter dënoi sulmet ndaj gazetarëve kosovarë nga persona të maskuar në veriun me shumicë serbe. BIRN identifikoi 38 llogari që kërkonin të nxisnin tensionet si përgjigje, shumica e tyre gjithashtu aktive në kritikat e tyre në internet për luftën në Ukrainë.

Po ashtu më 9 tetor të vitit të kaluar, kur një polic i Kosovës u sulmua dhe u plagos në veri, 23 llogari të rreme ishin në mesin e atyre që komentuan postimin e Osmanit në Twitter.

Sikur të mos mjaftonin tensionet serbo-shqiptare në terren në Kosovë, BIRN identifikoi llogaritë e rreme në Facebook dhe Twitter që po nxisin frikë, urrejtje dhe jotolerancë përmes internetit.

Abit Hoxha, profesor dhe studiues me origjinë nga Kosova në Universitetin e Agderit në Norvegji, tha se kishte një dimension të qartë politik dhe përmendi rastin e një krize verën e kaluar kur serbët në veri ngritën barrikada në mes të një mosmarrëveshjeje në lidhje me targat e automjeteve.

Në atë kohë, “shumica dërrmuese e postimeve në Twitter vinin nga India dhe të tjerë nga Gana”, tha Hoxha. “Kjo tregon se fermat e rrjeteve sociale janë të koordinuara dhe kanë një qëllim politik. Hashtagu #Mitrovica filloi të përdorej në Twitter rreth katër orë para fillimit të ndërhyrjes së policisë në veri.”

Autoritetet e Kosovës jo të përgatitura mirë

Valon Canhasi, kreu i Agjencisë së Marketingut Dixhital “Hallakate”. Foto: BIRN

Pavarësisht nga intensiteti i aktivitetit të llogarive të rreme, pak raportohen te Facebook dhe akoma më pak mbyllen. Megjithatë, raportimi është në rritje.

Në vitin 2019, Facebook-ut iu kërkua të mbyllte 37 llogari, 10 prej të cilave ai mbylli. Në vitin 2020 pati 48 kërkesa, për shtatë nga të cilat u morën masa. Dhe në vitin 2021, 11 nga 58 llogari të raportuara u mbyllën. Deri më tani, këtë vit ka pasur 37 kërkesa dhe janë mbyllur tri llogari.

Valon Canhasi, kreu i Agjencisë së Marketingut Dixhital “Hallakate”, me bazë në Prishtinë, tha se nuk ka të dhëna fikse për numrin e saktë të llogarive të rreme në Facebook në Kosovë, por se Meta – kompania mëmë e Facebook – thotë se mesatarja është midis katër dhe pesë për qind.

“Në rastin e Kosovës, i bie rreth 40,000 llogari të rreme”, tha Canhasi për BIRN.

Forca policore e Kosovës tha për BIRN se nuk ruan të dhëna për llogaritë e rreme të rrjeteve sociale, përveç nëse ka indikacione se ata mund të jenë të përfshirë në aktivitete konkrete kriminale. Zyra e Kryeporokurit të Shtetit tha gjithashtu se nuk mbledh të dhëna për krimet e kryera përmes rrjeteve sociale.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, IKD, paralajmëroi se autoritetet në Kosovë nuk janë aspak të gatshme të përballen me rrezikun e llogarive të rreme dhe kërcënimin që ato paraqesin.

“Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë nuk janë të përgatitura për këtë lloj ‘lufte’ speciale”, tha Miftaraj.

“Institucionet e sigurisë në Kosovë… duhet të identifikojnë çdo kërcënim nga lajmet e rreme apo dezinformatat që mund të kërcënojnë sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke përfshirë trajtimin e këtyre rasteve si kërcënim për sigurinë globale në dëm të Kosovës.”

“Edhe pse autorët e mundshëm të këtyre fenomeneve mund të jetojnë në Serbi, Rusi, apo në ndonjë vend tjetër të botës, institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë duhet të identifikojnë, hetojnë dhe mbledhin informacione dhe prova në këto raste, t’i ndajnë dhe shkëmbejnë ato me vende të tjera, të cilat potencialisht mund të jenë subjekt i të njëjtave sulme”, tha ai.

Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me strategjinë e saj për të luftuar llogaritë e rreme.

Mungesa e të menduarit kritik në shkolla

Lindita Tahiri, profesoreshë e Edukimit Medial në Universitetin e Prishtinës. Foto: Kortezi nga Lindita Tahiri

Sipas Hoxhës, profesorit me bazë në Norvegji, llogaritë e rreme kërkojnë të ndërtojnë narrativa të rreme historike rreth luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, kur NATO-ja ndërhyri me 11 javë sulme ajrore për të dëbuar forcat serbe të akuzuara për vrasjen dhe dëbimin e civilëve shqiptarë etnikë në krahinën e atëhershme jugore serbe. Kosova u bë një repart i Kombeve të Bashkuara dhe shpalli pavarësinë në vitin 2008, me mbështetjen e fuqive perëndimore.

“Kjo agjendë politike udhëhiqet nga i gjithë aparati shtetëror serb”, tha ai, duke përmendur shembullin e revizionizmit historik rreth masakrës së Reçakut të janarit 1999, e parë gjerësisht si një pikë kthese në konsiderimin e Perëndimit për një përgjigje ushtarake ndaj mizorive serbe. Serbia pretendoi se viktimat ishin luftëtarë të armatosur.

“Ekziston një rrjet i tërë llogarish anonime dhe gjysmë anonime që kanë një numër të madh ndjekësish dhe që përdorin rrjetin e tyre për qëllime të liga dhe beteja të brendshme politike”, tha Hoxha për BIRN.

Lindita Tahiri, profesoreshë e Edukimit Medial në Universitetin e Prishtinës, tha se propaganda vazhdon të jetë efikase falë lajmeve digjitale. Shoqëria, tha ajo, duhet të jetë më e edukuar për të identifikuar kur ata gënjehen ose manipulohen.

“Nuk është praktike të monitorohen lajmet që publikohen pa ndërprerje në mediat digjitale, por është më praktike dhe më e mundur përgatitja e audiencës për këto lajme”, tha Tahiri. “Kjo mund të lidhet edhe me edukimin për median, por jo me një lëndë specifike, një aftësi që zhvillohet në të gjitha lëndët, si në arsimin formal ashtu edhe në atë informal.

Sipas Tahirit, është jetike që shkollat t’i përgatisin nxënësit që të mos bien pas lajmeve të rreme apo komenteve manipuluese.

“Në mjedise ku arsimi është nën standard, ku nxënësit përgatiten me metoda mekanike të mësimdhënies, shkolla bën më shumë dëm sesa mirë”, tha ajo. “Individët e arsimuar në këtë mënyrë bien lehtësisht pre e propagandës dhe narrativave dogmatike, duke i kuptuar ato si të sakta”./Reporteri.al

/Shqip.com