Lajme

Në Komisionin për Buxhet diskutohet për 30 përqindëshin e tërheqjes nga Trusti

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka shqyrtuar në parim Projektligjin për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti pensional, pasi kjo çështje i riaktualizua me kërkesë të qytetarëve, të cilët përmes peticioneve kishin kërkuar që ky Projektligj të sillet sërish në Kuvend.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili foli në cilësinë e të autorizuarit nga organizatorët e peticionit në komision, e dha propozimin se si duhet të bëhet llogaritja e parave nga Trusti në bazë të shumës së mbledhur.

“Propozohet që personat që kanë deri në 10 mijë euro t’i tërheqin deri në 30 për qind, ndërsa ata që kanë nga 10 mijë deri në 20 mijë të tërheqin 25 për qind. Kurse ata që kanë më shumë se 30 mijë euro t’i tërheqin deri në 10 për qind”, tha Haxhiu.

Kryetari i Komisionit, deputeti Armend Muja e ka pyetur Haxhiun rreth kostove shtesë të buxhetit, por që ky i fundit tha se nuk ka kosto shtesë nga ky projektligj.

“Nuk ka kosto shtesë për buxhetin e shtetit por që me këtë do të ndikojë pozitivisht në buxhet sepse tërheqja e tyre do të paguhen TVSh dhe se ato mjete supozohet t’i shpenzojnë brenda vendit. Ky ligj ka kaluar të gjitha proceduat e nevojshme dhe ka një prolongim brenda administratës së Kuvendit dhe besoj se nuk duhet të vonohet më shumë”, tha Haxhiu.

Në vazhdim të mbledhjes së komisionit, kryetari Muja, ka shprehur shqetësimet e tij se kohën e fundit shumë individë kanë shprehur mllef ndaj tij, duke ofenduar edhe familjen e tij.

Tutje, ai hodhi akuza ndaj Adnan Jasharit si organizator i kësaj nisme, duke thënë se nga faqja në rrjetet sociale është kërcënuar ofenduar ai dhe familja e tij

“Brenda atij grupi ju bëni thirrje për ta votuar dhe në drejtim timin dhe të familjes sime vijnë çdo ditë ofendime. Pse është e nevojshme që të kërcënoni dhe të ofendoni familjet”, tha ai.

Kurse, deputeti tjetër i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka bërë thirrje që të lihen anash inatet politike dhe i njëjti të votohet.

“Unë besoj se është proces i vonuar që 21 mijë qytetarë që e kanë kërkuar dhe kanë pyetur se kur do të sillet në Kuvend dhe kjo është neglizhencë e vetë kryetarit (Armend Muja), dhe e Kuvendit. Është mirë të largohen inatet politike dhe mendoj se i njëjti duhet të votohet. Besoj se është nismë e drejtë dhe secili deputet besoj se është mirë ta votojë”, tha Lushtaku.

/Shqip.com