Lajme Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë në QKUK, Merita Sadiku-Emini, ka treguar për Shqip.com se vetëm gjatë vitit 2021 janë diagnostikuar 433 raste të reja me diabet

Në Klinë ankohen për mungesë insuline, QKUK siguron vetëm dy medikamente

Sadie Berisha prej 18 vjetësh vuan nga diabeti.

Ajo ankohen se jo çdo herë gjenë insulinë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë.

“Afërsisht 18 vjet e kam sëmundjen e diabetit të tipit 2. Më duhet të përdorë një insulinë brenda javës, për çdo ditë nga 60 pika. Më shumë i blej se sa qe i japin. Ndodhë që një muaj ka ndërsa, në muajin tjetër nuk ka”.

Si rezultat, thotë se i duhet t’i blej vetë ato.

“Shtatë deri në tetë euro kushton një insulinë të cilën e përdori, çmimi dallon varësisht nga vendi se ku blihet. Kjo ma përkeqëson edhe xhepin”, tha ajo.

Por, ndryshe deklaron drejtori i QKMF-së në Klinë.

 “Medikamentet për trajtimin e diabetit përfshirë edhe insulinën, vijnë prej nivelit nacional dhe unë mendoj se janë brenda suazave”, ka thënë për Shqip.com drejtori i QKMF-së në Klinë, Haxhi Ibishi.

Tutje, Ibishi tha se furnizimi  i QKMF-së me ilaçe bëhet çdo muaj.

Ministria siguron për QKUK-në vetëm dy medikamente për diabet

Me mungesë të medikamenteve për trajtimin e diabetit po përballet Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Merita Sadiku-Emini, tregon se janë të furnizuar vetëm me dy medikamente.

“Buxheti për furnizimin e pacienteve me insulinë sigurohet prej Ministrisë së Shëndetësisë, por jo edhe buxheti për fishat të cilat përdoren prej pacienteve me diabet. Në QKUK nuk gjinden të gjitha medikamentet për trajtimin e diabetit, por ka insulinë dhe metforminë”, tha Sadiku-Emini.

Për këtë, Shqip.com ka tentuar të marrë sqarime nga Ministria e Shëndetësisë, por nuk janë përgjigjur.

QKUK: 433 raste të reja në vitin 2021

Vetëm gjatë vitit 2021, në Klinikën e Endokrinologjisë janë diagnostikuar me diabet 433 persona, pa i përfshirë ata që trajtohen në shërbimin ambulantor.

Grupmosha më e prekur është ajo nga 50 deri në 70 vjeçare.

“Nga diabeti, të prekur janë edhe fëmijët. Në grupmoshën 50 – 70 vjeç numri i pacientëve me diabet përbën 60.7% të numrit total të pacientëve me diabet, prej të cilëve 0.2% me diabet tip 1 dhe 60.5% të diabet tip 2. Më pak të prekur janë personat nën 30 vjet, që i përkasin 6.6% të numrit total të hospitalizuarëve në këtë klinikë gjatë vitit 2021”.

Emini-Sadiku thotë se shkaktarët e diabetit ndahen varësisht nga tipi i diabetit./Shqip.com