Lajme

Në kërkim të ariut, parku i Gërmisë ende i mbyllur

Parku Gërmia

Parku i Gërmisë vazhdon të jetë i mbyllur për vizitorë që nga e diela, për shkak se është vërejtur një ari, njofton Shqip.com.

Nga Komuna e Prishtinës thonë se ekipet janë duke punuar në terren pas vërejtjes së ariut dhe se parku po vazhdon të mbetet mbyllur.

“Ekipet janë duke punuar në terren, dhe sot gjatë ditës ju informojmë për të rejat. Parku nuk do të hapet derisa të vlerësohet se nuk ka ndonjë rrezik për qytetarët”, thonë nga komuna.

Të dielën gjatë ditës kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se është mbyllur parku i Gërmisë pas njoftimit nga qytetarët se është vërejtur një ari.

“Jemi të detyruar të mbyllim përkohësisht Parkun Gërmia deri në lokalizimin e ariut që ështê vërejtur nga qytetarët sot. Ju falënderojmë për mirëkuptim!”, ka njoftuar Ahmeti. /Shqip.com