Lajme

Në dy-vjetorin e fitores së zgjedhjeve, Kurti mbledh partnerët qeveritarë

Kryeministri Kurti me partnerët e koalicionit, Alternativën dhe Listën Guxo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka shpërndarë një foto në rrjetin Facebook, ku shihet së bashku me partnerët e koalicionit qeveritar.

Ky takim, i mbajtur ne zyrën e kryeministrit, u mbajtë në dy-vjetorin e fitores së koalicionit në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Në zyrë ishin ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, ministri i bujqësisë, Faton Peci, kryeparlamentari, Glauk Konjufca, shefi i grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila dhe Kurti.

Bashkë sot, sikurse me 14 shkurt 2021, sikurse në secilën ditë të këtyre dy viteve. Bashkë përballë sfidave e detyrave që kemi përpara. Me përkushtim që nuk zbehet. Me përgjegjësi që rritet“, shkroi Kurti.

Sipas kryeministrit, fitorja e para dy viteve ishte ndryshim demokratik dhe se koalicioni do të qëndrojë bashkë deri në realizimin e plotë të premtimeve.

Fitorja e madhe e shkurtit ishte ndryshe, sepse ishte vetë ndryshimi demokratik. Ishte fitore, sepse fituan qytetarët dhe e gjithë shoqëria. Ajo na rikujton më së miri vullnetin dhe pritjet e popullit, të cilit do t’i shërbejmë çdo ditë me përpikmëri dhe devotshmëri. Bashkë deri në realizimin e plotë të zotimeve tona për punësim dhe drejtësi”, theksoi Kurti.

Vetëvendosja fitoi në zgjedhjet e vitit 2021, me mbi 50% të votave, duke u bërë lista e parë zgjedhore në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, që fitojnë mbi gjysmën e votave, duke e eliminuar varësinë e numrave për formimin e Qeverisë.

VV-ja e kishte përfshirë edhe Listën Guxo dhe subjektin Alternativa në listën e saj zgjedhore

/Shqip.com