Kulturë

Në ditën e lindjes përkujtohet shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli

Dritëro Agolli (13 tetor 1931 – 3 shkurt 2017) ishte poet, shkrimtar dhe politikan shqiptar.
Dritëro Agolli (13 tetor 1931 – 3 shkurt 2017) ishte poet, shkrimtar dhe politikan shqiptar.

Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në Menkulas të rrethit të Devollit.

Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë si gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit” dhe për shumë vjet ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Për 30 vite me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash, etj.

Vepra e tij poetike më e shquar është “Nënë Shqipëri” (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik. Në një sërë vjershash dhe poemash, Dritëro Agolli pasqyron frymën e Luftës Nacional-Çlirimtare. Në prozë, bëri emër sidomos romani Komisari Memo, si dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Disa prej veprave të tij janë ekranizuar.

Vepra e fundit e Dritëro Agollit është libri me poezi “Prit edhe pak” kushtuar bashkëshortes, Sadije.

Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. U pranua anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës e Gjirokastrës.

U nda nga jeta më 3 shkurt 2017, në Tiranë.

/Shqip.com