Lajme Botë

Një burrë në Arizona dënohet për përdhunimin e pacientes me aftësi të kufizuara

Një burrë nga Arizona është dënuar me 10 vjet burg për sulm seksual ndaj një pacienteje të paaftë që lindi në një klinikë ku ajo ishte nën kujdesin e tij.

Ish-infermieri Nathan Sutherland u akuzua për përdhunimin e viktimës, e cila ka aftësi të kufizuara të rënda, në objektin e kujdesit shëndetësor Hacienda në Phoenix.

Ai u arrestua në vitin 2018 pasi ADN-ja e tij përputhej me një mostër nga i porsalinduri, shkruan BBC, transmeton Shqip.com.

Viktima, e cila ishte 29 vjeç në kohën e lindjes së foshnjës, thuhet se ishte nën kujdesin e klinikës që kur ishte e vogël.

Përveç dënimit me burg, Sutherland do të vendoset në provë për pjesën tjetër të jetës së tij dhe do t’i kërkohet të regjistrohet si shkelës seksual pas lirimit të tij.

Në një deklaratë të cituar nga mediat amerikane, Prokurori i Qarkut Maricopa, Allister Adel tha se dënimi ishte maksimumi i lejueshëm sipas marrëveshjes së Sutherland për pranimin e fajësisë.

Ajo shtoi se dënimi “mori parasysh faktorë të shumtë rëndues dhe lehtësues, duke përfshirë cenueshmërinë e viktimës dhe pozitën e besimit nga i pandehuri”./SHQIP.com