Lajme Botë

Në Britani mjekët hyjnë në grevë, po kërkojnë rritje pagash

Mjekët brinatik në grevë / Foto: Reuters

Mjekët e rinj në Britani filluan të martën një grevë katër-ditore mbi pagat që ka të ngjarë të shkaktojë ndërprerje të paprecedentë në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar (NHS).

Dhjetëra mijëra mjekë të rinj, që përbëjnë gati gjysmën e fuqisë punëtore mjekësore, po bëjnë grevë për rritje të pagave në përputhje me inflacionin, grevë kjo që pason një grevë tre-ditore të mjekëve muajin e kaluar.

“Ky raund i fundit i grevave do të shohë nivele të paparashikueshme të ndërprerjes dhe ne jemi shumë të shqetësuar për ashpërsinë e mundshme të ndikimit tek pacientët dhe shërbimet në të gjithë vendin”, tha Drejtori Kombëtar Mjekësor i NHS në Angli, Stephen Powis.

Në anën tjetër, Shoqata Mjekësore Britanike (BMA), sindikata që përfaqëson mjekët, kërkon një rritje pagash prej 35%, duke argumentuar se mjekët kanë pësuar një ulje reale të pagave prej 26% gjatë 15 viteve.

BMA ka shtuar se grevat e mjekëve të rinj, disa prej të cilëve janë me shumë përvojë, mund të ndërpriten nëse ministri i shëndetësisë Steve Barclay parashtron një ofertë të besueshme pagash, shkruan BBC.

Kjo grevë po ndodh në kohën kur NHS përjeton një nga krizat e saj më të rënda në historinë e saj 75-vjeçare, e mbingarkuar me rreth 7 milionë pacientë që presin trajtim spitalor, duke prekur rëndë fusha të tilla si kujdesi kardiovaskular.

/Shqip.com