Kulturë

Në Biblotekën Kombëtare, u prezantua romani “Ditë e re” i autorit grek Nikos Chrysos

Të mërkurën në Biblotekën Kombëtare të Kosovës, është prezantuar romani “Ditë e re” nga autori grek Nikos Chrysoss.

Ceremonia e prezantimit u organizua nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë.

Ndërkaq, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci shprehu mirënjohjen e saj të thellë për Ambasadoren Chryssoula Aliferi dhe Zyrën Ndërlidhëse Greke për gjithë angazhimin e tyre rreth organizimit të kësaj ngjarjeje.

“Duke i dëshiruar mirëseardhje në Kosovë autorit të veprës “Ditë e re”, ministrja Nagavci bëri të ditur se Nikos Chrysos në vitin 2019 ishte nderuar me çmimin për Letërsi të Bashkimit Evropian, ndërsa e falënderoi për mundësinë që publiku ynë të njihet për së afërmi me veprën tij.’, thuhet në njoftim.

Ndërkaq sipas njoftimit, ministrja Nagavci u shpreh e lumtur që marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë shtuar kohëve të fundit edhe në rrafshin politik, duke shtuar se, organizimi i sotëm është vetëm një dimension i bashkëpunimit të MAShTI me Zyrën Ndërlidhese Greke – një “Ditë e re” në kapitullin e ri të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Greqisë.

Dhe sipas saj, populli i Kosovës ndien një afërsi të veçantë me Greqinë dhe popullin grek, pasi popujt ndajnë jo vetëm një hapësirë të njëjtë gjeografike, por edhe një histori të përbashkët e ngjashmëri kulturore.

Tutje, Ambasadorja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë, Chryssoula Aliferi foli për jetën dhe veprimtarinë e autorit të romanit “Ditë e re”, libër ky i cili ka fituar dy çmime të rëndësishme, ndërsa u shpreh e lumtur që Nikos Chrysos gjendet në Prishtinë për të prezantuar librin e ri, duke shprehur dëshirën që libri në të njëjtën kohë të sjellë ditë të  reja të raporteve kulturore mes Kosovës dhe Greqisë.

Autori i librit Nikos Chrysos u shpreh i lumtur që i është dhënë mundësia që edhe publiku në Kosovë ta njohë veprimtarinë e tij letrare.