Sport Ndërkombëtar

Në Angli sot zhvillohet ndeshja e stinorit

 Premier Liga është gati për sfidën vendimtare të sezonit, ku me shumë gjasë vendoset për titullin kampion. Manchester City – Arsenal do të rrëmbejë vëmendjen jo vetëm në Angli, por kudo në botë. Në “Etihad Stadium” do të luhet sfida më e madhe e sezonit, me kampionët aktual që po kalojnë një super formë. Skuadra e Pep Guardiolës me ndihmën e tifozëve do të kërkojë triumfin e radhës që do të ishte një hap i sigurt për mbrojtjen e titullin kampion.

Në anën tjetër Arsenali i cili deri tani ka zhvilluar një super sezon, në tri sfidat e fundit ka lëshuar terren në luftën për titull. Skuadra e Mikel Artetës, nuk ka shkuar më shumë se barazimi përballë Liverpolit, West Hamit dhe Southamptonit dhe diferenca me Man. Cityn është vetëm 5 pikë, por “Qytetarët” kanë luajtur dy ndeshje më pak.

Presioni i fundit të sezonit ka ndikuar jo pak te Arsenali, megjithatë londinezët janë të vetëdijshëm që për të luftuar deri në fund për titullin kampion, nuk duhet të humbasin në “Etihad”, ndërsa fitorja do të ishte një hap i sigurt për të siguruar titullin kampion që mungon prej vitit 2004.

/Shqip.com