Lajme

Në 24-vjetorin e rrëmbimit të 11 personave në Gjakovë, Kurti takon nënën Ferdonije

Në 24-vjetorin e rrëmbimit të 11 burrave dhe djemve të Gjakovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi shtëpinë-muze të familjes Qerkezi, ku u prit nga Nëna Ferdonije Qerkezi.

Kjo është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media ku thuhet se Kurti e ka falënderuar nënë Ferdonije për qëndrueshmërinë dhe guximin që po i jep popullit shqiptar. 

‘’E di që dhembja nuk zvogëlohet, por në të njëjtën kohë ajo të ka mbajtur ty gjatë të fuqishme, dhe një komb të tërë e ka ngritur në solidaritet me familjen Qerkezi, me nënën Ferdonije, që sot nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është dhe s’e kanë për zemër’’, u shpreh ai.

I pari i ekzekutivit e veçoi rëndësinë e hapjes së arkivave nga Serbia, pasi vrasja dhe zhdukjet gjatë luftës kanë qenë pjesë e projektit serbomadh për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”.

Ai tha se Serbia duhet të jetë e hapur për sa më shumë hulumtim dhe hapje të varrezave masive.

Gjatë vizitës së tij, Kurti shkroi edhe në librin e kujtimeve.

“Artani e Armendi, Ardiani e Edmondi, janë djemtë që i mungojnë Nënës Ferdonije, sepse ishin shqiptarë si të gjithë NE, që e donin vendin e tyre. Tash jemi të gjithë djem të saj, e ajo është Nënë e gjithë popullit tonë, sepse çdonjëri e njeh dhe e don si nënë. 24 vjetët nga rrëmbimi i katër djemve dhe i bashkëshortit Halimit nuk ia kanë zvogëluar dhembjen por ia kanë shtuar forcën që ajo e ka bartur te ne të gjithë. E duam si Nënë, e admirojmë si Heroinë, i falënderohemi për jetë, i kemi borxh secili”.

Madje, për vizitën e tij, Kurti u falënderua edhe nga nëna Ferdonije.

Bashkë me Nënën Ferdonije ishte edhe Nëna Dudije Dylhasi, së cilës forcat serbe ia kanë rrëmbyer djalin Myrteza dhe bashkëshortin Skënderin.

“Nëna Ferdonije e falënderoi Kryeministrin Kurti për vizitën në shtëpi, nga ku më 27 mars 1999 janë rrëmbyer, bashkëshorti i nënës Ferdonije, Halimi me katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin, dhe Edmondin, nipi i saj Vegim Qerkezi, miku i shtëpisë Shpejtim Ymeraga, si dhe fqinjët Skender Dylhasi me djalin Myrteza, dhe dy djemtë e familjes Jetishi, Shpendi e Fatosi”.

Sipas ZKM-së në këtë vizitë bashkë me Kurtin ishte edhe Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, si dhe ministrja e Arsimit, Abërie Nagavci, Mimoza Kusari, që të dyja të të njëjtit brez me Artan Qerkezin e Myrteza Dylhasi në shkollë në Gjakovë dhe deputeti Jahja Koka që ishte në të njëjtën klasë me Halim Çerkezin. 

Po ashtu thuhet se ministrja Nagavci, ishte edhe arsimtare e Edmond Qerkezit, i cili u rrëmbye dhe zhduk në moshën 14 vjeçare.

/Shqip.com