Lajme

Ndryshon ligji për komunikacion, priten dënime të ashpra

Policia e Kosovës/ Ilustrim

Brenda pak kohësh pritet që Ligji për Rregullat e Trafikut Rrugor të pësoj ndryshime.

Kjo do të ndodh për të tretën herë më radhë dhe ndryshimet do të prekin pjesën e shkeljeve që bëjnë prindërit, të cilët lejojnë fëmijët të vozisin automjetet.

Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim i Kuvendit të Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kanë punuar që disa muaj në plotësim-ndryshimin e këtij ligji.

Kryetarja e Komisionit dhe njëherësh deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka dhënë detaje për SHQIP.com rreth ndryshimeve që do të bëhen, ndërsa së shpejti, do të dërgohet për votim në Kuvend.

Janë disa ndryshime që janë bërë, si rikthimi i trotinetit, pastaj dënimet i bartën prindërve nëse kapet një fëmijë i moshës së mitur duke vozit, pasi më herët nuk është dënuar askush dhe tashmë me rregullat e reja veç se dënohet prindi dhe plot gjëra tjera që kanë ndryshu. Po ashtu risi tjetër është edhe dërgimi i gjobave në mënyrë elektronike te shtëpia”, ka thënë ajo.

Fitore Pacolli – Kryetare e Komisionit dhe njëherësh deputete e Lëvizjes Vetëvendosje

Sa i përket dënimit se nëse dikush vozit veturën e huaj dhe gjobitet për ndonjë shkelje, ajo tha se gjoba do i shkoj pronarit të veturës.

Ndërkohë, SHQIP.com ka pyetur Policinë e Kosovës se si do të funksionojë procesi i dërgimit të gjobave në vendbanime, por nuk kanë dhënë detaje.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet tjera, është duke punuar në kompletimin e legjislacionit në fushën e trafikut të harmonizuar me praktikat më të mira të shteteve të BE-së dhe pas kompletimit do të njoftohet opinioni, dhe palët e interesit me ndryshimet ligjore dhe procedurat tjera që rrjedhin nga këto ndryshime”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Eksperti i komunikacionit, Muhamed Krasniqi ka mirëpritur ndryshimet e ligjit pasi sipas tij, do të ndikojnë në përmirësimin e sigurisë në trafik.

Mbi bazën e këtyre veprimeve të domosdoshme, mund të mendojmë për krijimin e një rrjedhe më të sigurt të trafikut në rrugët e vendit. Faktori njeri me veprimet e tij kur është pjesëmarrës në rrugë, është shkaktari kryesor i aksidenteve në trafikun rrugor. Ndërsa automjeti, rruga dhe faktorët tjerë në numër shume më të vogël, mund të jenë shkaktar apo kontribuues të aksidenteve në trafikun rrugor”.

Muhamed Krasniqi – Ekspert i komunikacionit

Krasniqi e ka quajtur zgjidhje të duhur, dërgimin e gjobës në vendbanimin e personit që ka bërë shkelje.

Kur qytetarëve iu shqiptohen dënime për kundërvajtje dhe veprime tjera në rrugë, duhet të gjinden edhe metodat e nevojshme për ekzekutimin e këtyre dënimeve. Derisa sa të digjitalizohen akoma proceset për inkasimin e mjeteve në emër të dënimeve për shkelje ligjore, mendoj se dërgimi i dënimeve nëpër shtëpi është zgjidhje. Dërgimi i dënimeve në shtëpi duhet të shoqërohet edhe me krijimin e një baze shtesë dhe reale të shënimeve për të gjithë kundërvajtësit, në mënyrë që të punohet më qytetarët recidivist të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor”, tha ai.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për SHQIP.com se në muajin janar kanë ndodhur gjithsej 1549 aksidente.

Nga to, 5 kanë qenë më fatalitet ku kanë vdekur 5 persona, ndërsa me lëndime kanë qenë 621 aksidente, kurse kanë mbetur të lënduar 1219 persona.

Shkaku i shkeljes së rregullave të komunikacionit, policia në muajin e parë të këtij viti, ka shqiptuar 49 mijë e 779 tiketa.

/Shqip.com