Ndizet sirena e alarmit në Mitrovicë

Në veri të Mitrovicës është ndezur alarmi i njohur si ‘usbuna’, që shërben si sinjalizues i serbëve për grumbullim në veri.
Shqip.com ka siguruar pamje nga ura e Ibrit në Mitrovicë ku dëgjohet alarmi.
Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për veri, Besim Hoti, ka thënë për Shqip.com se ka ardhur deri te bllokimi i një rruge në Zubin Potok dhe po ashtu në Zveçan.
“Kishte bllokim të rrugës në Zubin Potok tek Varaga dhe afër Rudares. Pretendohet se është përhapur një lajm i rrejshëm se komuna do të bllokohet nga njësitet speciale, që absolutisht nuk është e vërtetë dhe se nuk ka asnjë qëllim të tillë”, ka thënë Hoti.
Theksojmë se Kosova në mesnatë do të fillojë të përdorë masën e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet serbe.
Si pasojë e kësaj ka pasur reagime të shumta nga politikanët serbë./Shqip.com