Kulturë

Ndikimi i letërsisë në shoqëri

Lajmi me Audio

Padyshim që letërsia ushtron ndikim në jetën e shoqërisë. Nëpërmjet letërsisë lexuesit njihen me pasurinë e leksikut, me shprehje të reja, me rrëfimet, e në mënyrë të veçantë me kulturën ligjërimore të një kombi.

Shkrimtari e studiuesi i njohur i letrave shqipe, Gëzim Aliu, për Shqip.com ka ngritur një pyetje se cili mund të jetë ndikimi i letërsisë së mirëfilltë artistike në kohën e sotme, kur numri i lexuesve po tkurret përditë e më tepër shkaku i stërpranisë së mediumeve të tjera që synojnë dhe arrijnë ta kapin vëmendjen e njerëzve.

E kësaj pyetjeje, a mund të japim ndonjë përgjigje? Aliu shprehet se sigurisht që ka ende lexues të librave. Por, a mjaftojnë grupet e vogla e në tkurrje të vazhdueshme që rolin fisnik, tejkohor, të letërsisë, edhe estetik, edhe edukues, ta bëjnë ndikues e depërtues? Sipas tij është e vështirë.

“Njerëzimi po vrapon syqorrazi drejt gjërave të lehta, gjërave e produkteve që nuk kërkojnë mund, përqendrim mendor, kohë”, ka thënë shkrimtari Aliu.

Tutje, sipas tij, për ta ruajtur ndikimin e letërsisë artistike në shoqëri, duhet të këtë sistem arsimor të stabilizuar, siç i kanë shoqëritë e zhvilluara.

Gëzim Aliu – Shkrimtar dhe studiues i letrave shqipe

“Stabilizimi i sistemit arsimor mund të ndikojë edhe në rritjen e nivelit të leximit, që duhet të fillojë të formohet si shprehi qysh nga klasat e para të fillores. Pa arsimim e edukim cilësor, jo vetëm lexim, por nuk do të ketë as shoqëri stabile, normale. Anëtarët e kësaj shoqërie nuk do ta shijojnë mirëqenien. Në sistemet normale arsimore, ta zëmë angleze apo amerikane, nuk ka shanse që një nxënës të kapërcejë të gjitha nivelet, të regjistrohet në universitet për t’u përgatitur pra për tregun e punës e të mos e dijë kush është Shekspiri”, ka thënë Aliu për mediumin shqip.com.

E, Gëzim Selaci, profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, për Shqip.com lidhur me temën e trajtuar ka thënë se letërsia u mundëson lexueseve të njihen me botë tjera dhe të ndryshme nga bota e tyre, domethënë të njihen me personazhe të ndryshëm nga lexuesi, me fate e situata të ndryshme nga ato të lexuesit, me kultura të ndryshme nga ajo e lexuesit, e të tjera.

Gëzim Selaci – Profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës

Sipas sociologut Selaci, kjo ka së paku dy ndikime pozitive në shoqëri.

“Së pari, ndërton një shoqëri pjesëtarë e së cilës zgjerojnë horizontet e njohjes dhe guxojnë të mendojnë përtej vetëve të tyre, përtej rrethit të tyre të ngushtë dhe përtej fateve e situatave në të cilat gjenden ata. Kështu, një shoqëri që lexon letërsi priret të imagjinojë mundësi të organizimit tjetër të jetës politike e kulturore në të cilën është ajo, me shpresë drejt një organizimi më të mirë e më të drejtë.

Së dyti, leximi i letërsisë kultivon prirjen e bashkëndijesisë ose empatisë në shoqëri, duke qenë se letërsia, si një mënyrë e veçantë e shprehjes, i flet emocionit njerëzor, domethënë aftësisë së shpirtit njerëzor për të bashkëndier me të tjerët, domethënë kultivon prirjen njerëzore për t’u identifikuar ose për të vënë vetet e tyre në pozita të të tjerëve. Kështu, një shoqëri që lexon letërsi nuk ka se si të mos jetë një shoqëri e vetëdijesimit për të drejtat e njeriut dhe respektimit të tyre”, ka thënë sociologu Selaci.

Ndërsa, studiuesi tjetër i njohur i letrave shqip, Halil Dervishaj, ka thënë se, që nga gjeneza, letërsia ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në shoqëri dhe ka ndikuar në emancipimin, përparimin dhe ndryshimin e shoqërisë. 

“Edhe pse në kohë të ndryshme ajo padrejtësisht u ndalua, herë u stigmatizua, herë u përdor si mjet propagande nga autoritete të ndryshme, prapë se prapë letërsia arriti ta ruajë dhe ta kultivojë atë që e ka në thelb, vlerën e saj artistike. Arti në përgjithësi dhe letërsia në veçanti gjatë gjithë historisë njerëzore u bë prijëse dhe motivuese e shumë ndryshimeve dhe përparimeve shoqërore. Ajo emancipoi shoqëri, i shpuri ato drejt përparimit, u dha motiv për t’u çliruar nga robëri e padrejtësi të ndryshme, etj.”, ka thënë Dervishaj për mediumin Shqip.com.

Halil Dervishaj – Studiues i letrave shqipe

Nëse dëshirojmë të ndalemi specifikisht në letërsinë shqiptare, në sinkron me atë që theksuam më lartë, sipas studiuesit Dervishaj, letërsia luajti një rol të jashtëzakonshëm për zhvillim e ndryshim.

“Së pari, ajo luajti rol kryesor në konsolidimin e gjuhës (ngaqë tekstet e para të letërsisë shqipe më shumë kanë rëndësi gjuhësore sesa letrare), përhapjen dhe ngritjen e nivelit të vetëdijes për shkollim, dhe duke e bërë këtë, ajo ndikoi edhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare për çlirim dhe përparim. Pra, ajo përmes shkrimeve të shumta, krijoi tema e heronj nacionalë, të cilët u bënë motiv për shumë gjenerata që vazhdojnë përpjekjet e tyre shekullore për liri e çlirim”, ka thënë Dervishaj.

Ndërsa, në kohët e më vonshme, po sipas tij, letërsia u kthye edhe më nga vetvetja, duke zëvendësuar temat përgjithshme me ato të individuale, duke depërtuar në thelb të fenomeneve të ndryshme shoqërore, psikologjike etj., dhe duke trajtuar dukuri të ndryshme shoqërore në vepra letrare, u bë shënjuese e ngritjes së vetëdijes në shoqëri.

“Pra, roli i letërsisë në shoqëri është shumë i madh dhe shumë i rëndësishëm dhe si i tillë është ai luan një rol të rëndësishëm e të pazëvendësueshëm në shoqëri”, ka thënë Dervishaj.

Poetja e njohur nga Shqipëria, Thomaidha Tanuçi, për mediumin Shqip.com ka thënë se letërsia e bën njeriun më të bukur.

“Letërsia e bën njeriun më të bukur. Unë kam thënë, letërsia është privilegj i shpirtrave të veçantë, jo çdokush e shijon. Po fjala si përdorim dhe sidomos stilistik, ka ndryshuar fatet e njerëzve dhe të shteteve”, ka thënë ajo.

Thomaidha Tanuçi – Poete

Krejt në fund, letërsia është një element qenësor, përmes së cilës njerëzit njohin traditën e një populli, organizimin shoqëror dhe historinë e tij.

/Shqip.com