Lajme

Ndërtoi hotel luksoz pa leje, burg pa afat për ish-drejtorin e ALUIZNI-t në Sarandë

Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë la në burg pa afat Mariel Muratin pas një seance gjyqësore që zgjati për më shumë se 4 orë.

Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për arrest me burg pa afat. 47-vjeçari akuzohet për “ndërtim pa leje” dhe  “falsifikim dokumentesh”.

Murati akuzohet për ndërtim pa leje të një hoteli 7 katësh në pronësi të tij në lagjen nr.4 në Sarandë.

Ish-drejtori i ALUIZNI-t kishte marrë leje rikonstruksioni për një subjekt që kishte blerë, por më vonë e shembi tërësisht objektin ekzistues duke ndërtuar nga e para një hotel 7 katësh, që ka përfunduar në qershor të 2022.

Mariel Murati u vetëdorëzua në polici të mërkurën, ndërsa ishte shpallur në kërkim me urdhër të Prokurorisë së Sarandës e cila kishte lëshuar ndaj tij fletë arresti.

Bashkë me Muratin akuzohen edhe 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ASHK, Bashkisë Sarandë dhe IKMT.

Dy prej tyre janë në masë “arrest në shtëpi”, 2 në masë “detyrim paraqitje” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, 4 në masë “detyrim paraqitje” dhe 1 ende në kërkim.

/Shqip.com