Ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës mbyllet për renovim nga kjo datë
Objekti i vjetruar i Teatrit Kombëtar të Kosovës, do të renovohet plotësisht.
Kështu kishte njoftuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në rrjetin social Facebook.
“Analiza e gjendjes e kryer nga ekspertë të MKRS dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” konkludon shkallë të lartë të degradimit të ndërtesës e hapësirave brenda saj, madje, me nivel të theksuar të rrezikshmërisë për punonjësit apo njerëzit që e frekuentojnë këtë institucion të rëndësishëm të artit e kulturës”, ishte thënë në njoftimin e para pak ditëve.
Ndërkohë në njoftimin e ri nga faqja zyrtare e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë bërë të ditur se ndërtesa e tetrit do mbyllet për renovim me datën 1 korrik.
“Ashtu edhe siç jeni informuar nga faqja zyrtare e MKRS-së, ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës mbyllet për renovim të tërësishëm nga data 1 korrik 2022.Arsyeja pse ka ardhur deri te kjo kërkesë është gjendja jo e mirë fizike e objektit tash e sa kohë. Këtë e ka vërtetuar edhe raporti i profesorëve të universitetit “Hasan Prishtina” të angazhuar nga MKRS me titull: “Vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës, hartimi i termave të referencës (ToR) dhe ndërhyrjet e menjëhershme të evidentuara”. Gjendja faktike e sigurisë në të cilën punojnë punëtorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës është alarmante dhe kjo e bën kërkesën për renovim edhe më urgjente”, thuhet në njoftim.
Në njoftim po ashtu është theksuar se Teatri Kombëtar i Kosovës e ka hartuar edhe planin e punës dhe të veprimit gjatë periudhës së renovimit.
“Poashtu, ju njoftojmë se aktiviteti i përgjithshëm artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk është ndalur dhe nuk do të ndalet. Teatri Kombëtar i Kosovës e ka hartuar edhe planin e punës dhe të veprimit gjatë periudhës së renovimit dhe në bashkëpunim të ngushtë dhe intenziv me MKRS është duke punuar për sigurimin dhe adaptimin e hapësirave alternative ku do ta zhvillojë aktivitetin e vet”.
Teatri Kombëtar i Kosovës mbetet institucioni më i lartë kulturor i vendit.