Ndërpritet seanca në gjykimin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit
Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, avokati Faruk Korenica, ka kërkuar përkthimin e deklaratave të të akuzuarve me arsyetimin se i kanë kërkuar disa herë por janë neglizhuar, është ndërprerë seanca e së enjtes për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
“Që 4 vjet nonstop jemi duke kërku përkthim të deklaratave të të pandehurve të cilat janë të neglizhuara edhe te prokurori dhe shumë shpesh kam bisedu me të mbrojturin tim dhe jam kanë në gjendje me perkthy shqip-serbisht vetë personalisht. Rasti i përkthimit ka vërejtje 30% siç është percaktu në procesverbal. Kemi bërë kërkesa disa herë, por jemi neglizhu”, ka thënë avokati Korenica.
Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kërkesën për përkthimin e deklaratave, avokati Korenica e bëri në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas kërkesës së trupit gjykues që të vazhdohet me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit.
Sipas tij, e drejta e të pandehurit është të analizojë deklaratën e tij, andaj nuk janë respektuar dispozitat e zhvillimit të procedurës në gjuhën që e kupton i akuzuari.
Ai tha se edhe pse gjatë dhënies së deklaratës ka qenë përkthyesja, i mbrojturi i tij nuk është informuar se çka ka qenë e shkruar aty.
“Ne nuk japim mbrojtje derisa të garantohet përkthimi secilit prej të akuzuarve, procesverbali i deklaratës së tyre”, tha Korenica.
Mbrojtësit e të gjithë të akuzuarve, u pajtuan me propozimin e avokatit Korenica, kurse kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj ka obliguar Prokurorinë që brenda afatit të arsyeshëm t’i përkthejë këto materiale.
Paraprakisht, në këtë seancë me pajtimin e të gjitha palëve, provat materiale të listuara nga raporti i Prokurorisë janë konsideruar të lexuara, të cilat u kundërshtuan nga mbrojtja.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Zharko Jovanoviq, avokati Ljubomir Pantoviq ka propozuar që në cilësi të provës të administrohet raporti i drejtorisë se policisë regjionale të Mitrovicës së Veriut, me arsyetimin se një pjesë e tij ka të bëjë me të mbrojturin e tij.
Ky propozim nuk u kundërshtua nga Prokuroria, ndërsa u aprovua nga trupi gjykues.
Tutje, trupi gjykues ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Marko Roshiq, avokatit Mahmut Halimi për dorëzimin e një foto-albumi që përmban incizimin dhe fotografi për të cilat ai pretendonte se lidhen me rastin, me arsyetimin se nëse ky fakt konsiderohet i mirëqenë, gjykata këtë do ta bëjë përmes zyrtarëve të IT-së.
Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.
Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, sipas së cilës, Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal, lidhur me veprat penale “Vrasje rëndë” nga neni 179, par.1.9 të Kodit Penal dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.
I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Ndërsa, më 27 dhjetor 2023, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër Milan Mihajloviq lidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviqit, të cilin e ngarkon me katër vepra penale.
/Shqip.com