Kulturë Kino

Nderohet Vjosa Berisha, ajo u kujtua si grua me ambicie që i dha shumë artit në Kosovë

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, sot janë mbajtur homazhe në nderim të producentes së ndjerë Vjosa Berisha.

Familjarë, miq, kolegë e krerë të shtetit e përcollën Berishën për në banesën e fundit.

Vjosën e kujtuan si një grua e artiste që i dha shumë kinematografisë së Kosovës.

Themeluesja e njërit prej festivaleve më të njohura të filmit në Kosovë, PriFest, u diagnostikua me kancer në vezore në vitin 2021.

Krahas kësaj, miqtë e bashkëpunëtorët thanë që ajo ishte inspirim për të gjithë ata që po përballeshin me sëmundje të njëjtë.

Vjosa ka qenë njëra ndër regjisoret më të suksesshme në vend, ajo kishte përfunduar studimet Master në Londër në Westminster University, në lëminë e Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publik, si dhe studimet postdiplomike për Diplomaci Bashkëkohore në Maltë.

Pas studimeve, ajo ishte rikthyer në Kosovë, ku bashkë me bashkëshortin dhe artistë të tjerë themeloj “PriFest”, i cili ende mbahet në Prishtinë.

Vjosa, si producente kishte realizuar dy filma, një në regji të Fatos Berisha “Cirku Fluturues” dhe një në regji të Borjan Zafirovski “Happiness Effect”.

Berisha u varros sot në varrezat e Prishtinës, në Arbëri.