Lajme

Nderohet veprimtari Adem Demaçi, në 5-vjetorin e vdekjes

Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi
Veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i veprimtarit dhe intelektualit Adem Demaçi.

Kurti dhe Konjufca kanë vendosur kurora lulesh, me rastin e 5 vjetorit të vdekjes së veprimtarit Demaçi.

Kurti para mediave ka thënë se “jeta dhe vepra e bacës Adem, idetë dhe udhëzimet e tij na mbushin me përgjegjësi dhe vetëbesim njëkohësisht”.

“Vendosëm lule të freskëta dhe bëmë nderime te varri i Adem Demaçit këtu në Prishtinë. Sot u mbushen 5 vjet kur baca Adem shkoi në amshim dhe sigurisht që kemi pikëllim e mallëngjim që nuk e kemi më por edhe kemi krenari e mirënjohje që e patëm dhe e njohëm, që punuam e mësuam prej tij”, u shpreh Kurti.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa vdiq më 26 korrik 2018.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.

/Shqip.com