Teknologji

Ndalohet shitja dhe importi i Huawei dhe ZTE në ShBA

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka miratuar ndalimin e shitjes dhe importin e pajisjeve të telekomunikacionit nga Huawei dhe ZTE.

Arsyeja e këtij ndalimi është për shkak se këto dy brende po përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Komisioni Federal i Komunikacioneve në SHBA tha se tashmë janë miratuar rregullat përfundimtare të cilat ndalojnë shitjen dhe importin e këtyre pajisjeve kineze duke përfshirë edhe Dahua Technology, firma e vëzhgimit video Hangzhou Hikvision Digital Technology dhe firma e telekomit Hytera Communications.

Masa përfaqëson goditjen më të fundit të Uashingtonit ndaj gjigandëve kinezë të teknologjisë mes frikës se Pekini mund të përdorë kompanitë kineze të teknologjisë për të spiunuar amerikanët, raporton CNN.

“Këto rregulla të reja janë një pjesë e rëndësishme e veprimeve tona në vazhdim për të mbrojtur popullin amerikan nga kërcënimet e sigurisë kombëtare që përfshijnë telekomunikacionet,” tha në një deklaratë kryetarja e FCC, Jesika Rosenvorçel.

Huawei refuzoi të komentonte. ZTE, Dahua, Hikvision dhe Hytera nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

FCC tha në qershor të vitit të kaluar se po konsideronte ndalimin e të gjitha autorizimeve të pajisjeve për të gjitha kompanitë në listën e mbuluar.

/Shqip.com