Lajme

Ndalohet prodhimi i kriptovalutave në Kosovë

Ilustrim.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë vendim që të ndalohet prodhimi i kripovalutave në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Siç ka thënë ajo, vendimi është marrë bazuar në rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”, i cili është themeluar në fund të vitit të kaluar.

“Në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi themeluar Komitetin Teknik për ‘Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë’. Ky Komitet Teknik ka mbajtur dy takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore”.

“Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rizvanolli në profilin e saj në Facebook.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në konferencë për media

Mes tjerash, ka bërë të ditur se institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante, të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave.

“Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Ilustrim

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 29 dhjetor kanë votuar masat emergjente të Qeverisë, për situatën me furnizim me energji elektrike.

Vendimi i Qeverisë u votua në Kuvend me 57 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në mbledhjen e 24 dhjetorit, Qeveria e Kosovës vendosi për masat emergjente në furnizim me energji elektrike do të vlejnë maksimalisht 60 ditë.

Sipas vendimit të qeverisë, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë: Vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët, dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë./SHQIP.com