Ndalohet për 48 orë drejtori i ”VisaMetric”, shtetas turk
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “Visametric”, Prokurorja e Shtetit, sot pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti, me aktvendim mbi ndalim e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së
Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Gjithashtu, ju njoftojmë se brenda afatit ligjor, prokurorja e çështjes, ndaj të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore, derisa iu bëjmë të ditur se lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftimin për media.
Ndryshe, kompania “VisaMetric”, ka pranuar ditë më parë vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës, ku i ndalohej që të marrin nga 30 euro për shërbime postare qytetarëve që aplikojnë për viza gjermane.
Avokati, Flamur Abdullahu, i cili kishte paditur këtë kompani në Gjykatën Komerciale, mbi arsyen se vlera prej 30 euro për person përben disa miliona përfitime për kompaninë në kundërshtime me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
/Shqip.com