Lajme

Ndalohet importimi i barnave të paregjistruara, MSh me udhëzim të ri administrativ

Në bazë të Udhëzimit të ri Administrativ nga Ministria e Shëndetësisë, në Kosovë nuk lejohet importimi i barnave të paregjistruara.

Sipas MSh-së është bërë thjeshtësim në këtë udhëzim në mënyrë që produktet medicinale të jenë të sigurta dhe cilësore.

Ky institucion ka thënë për Shqip.com se përgatitja e Udhëzimit Administrativ nr. 01/2022 për thjeshtësimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale që nuk kanë paralele të autorizuara në Republikën e Kosovës ka për synim përmbushjen e kërkesave të pacientëve në përgjithësi, në mënyrë që produktet mjekësore të jenë cilësore, efikase dhe të sigurta. 

Ndërsa, nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës, kanë kërkuar që fillimisht të mendohet se si të furnizohet paraprakisht tregu me barna, në mënyrë që të mos mbesin keq pacientët.

Kryetari i kësaj shoqate, Besim Kodra tha për Shqip.com se duhet të ketë afat kalimtar dhe jo të ndalet importi menjëherë.

Besim Kodra – Kryetar i Odës së Pacientëve të Kosovës

“E kam pa edhe ma herët që barnat kanë qenë të pa regjistruara. Nëse është kjo rregull, është shumë e mirë, vetëm se duhet me mendu se si me u furnizu tregu me barna dhe qysh me bë zgjidhjen. Për me pas një zgjidhje që mos me mbet keq edhe pacientët, normalisht duhet me pas një afat kalimtar që jo me u ndal menjëherë, por me pas një kohë më prit, derisa të bëhet zgjidhja që më u regjistruar barnat dhe tek mandej me u ndërpre”, tha Kodra.

Ndërsa, Arianit Jakupi nga Oda e Farmacistëve të Kosovës, tha se mungesa e barnave vjen edhe nga mosinteresimi i prodhuesve për t’i regjistruar ato.

“Udhëzimi administrativ 01/2022, ka ndryshuar Udhëzimin Administrativ 02/2014 pas interpretimit juridik se ka dy nene shtese, të cilat duhet të zbatohen sipas Ligjit. Nene këto, të cilat e bëjnë vështirë të zbatueshëm këtë udhëzim. Në parim ky Udhëzim Administrativ është hartuar dhe aprovuar më pastaj për të adresuar problemin e mungesës së barnave ne vendin tonë. Mungesa vjen si pasojë e mosinteresimit të prodhuesve për të regjistruar barnat te ne dhe për këtë arsye për të plotësuar nevojat e pacientëve është menduar që të lehtësohet procedura për importimin e barnave që mungojnë”, tha Jakupi.

Ai ka kërkuar zgjidhje urgjente për importimin e barnave.

“Për shkak se ky ndryshim ka ndodhur dhe se tani importet janë ndaluar (për këtë grup të barnave që konsiderohet diku 4-5 milionë në vit), kërkesa e farmacistëve dhe e Odës së Farmacistëve, është që në mënyrë urgjente të gjendet një zgjedhje për importimin e barnave, pasi në të kundërtën do të ketë shumë problem me furnizimin e barnave për pacientët”.

Kryetari i OFK-së, tha se këto barna kanë rëndësi të madhe për pacientët dhe stoqet kanë filluar të ulen.

Arianit Jakupi – Kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës

“Rëndësia e tyre është vitale, pasi përdoren për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, përfshirë ato emergjente, citostatikë të ndryshëm, barna për induktimin e lindjes, hormone, etj etj.  Stoqet vetë kanë filluar të ulen për këto barna, pasi distributorët tashmë po lajmërojnë se kanë vështirësitë e para. Gjithashtu edhe nga barnatoret ka shumë raporte lidhur me mungesat”.

Krahas kësaj, rrezikohet që këto barna të sjellën përmes rrugëve ilegale, në mënyrë që të mos mungojnë në treg.

“Nëse nuk ofrohet zgjidhje e shpejtë, rrezikohet që këto barna të sillen përmes rrugëve ilegale dhe kjo të dëmtojë edhe më shumë potencialisht shëndetin e pacientëve. Ka disa grupe të farmacistëve që kërkojnë masa më radikale, por që Oda do t’i trajtojë me shumë kujdes këto çështje”.

Por, përkundër këtij fakti, në përgjigjën e MSh-së thuhet se çdo person juridik dhe fizik ka të drejtë të regjistrimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale sipas UA 01/2015.

/Shqip.com