Lajme Ballkan

Ndalohet edhe një politikan serb në Merdare, nuk i lejohet të hyjë në Serbi

Kryetari i Lëvizjes “Odgovor”, Boban Bogdanoviq, ka reaguar duke thënë se është ndaluar në vendkalimin administrativ Merdare në mënyrë të ngjashme si Rada Trajkoviqin dhe se përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë nuk e kanë lejuar të hyjë në Serbi nga Kosova.

Ai tha se e kishin nxjerrë nga autobusi që udhëtonte në linjën Graçanicë-Beograd dhe se policët i kishin dhënë dy mundësi, të priste vendimin për të në vendkalim ose të kthehej në Kosovë.

“Më afruan pjesëtarë të policisë, ishin shumë profesionistë, më thanë që duhej të lija autobusin dhe të nxirrja gjërat. Me mua ka udhëtuar drejtoresha politike e ‘Odgovor’ Marija Iliq, e cila u solidarizua me mua dhe doli nga autobusi.

Në ambientet e policisë më kontrolluan sendet e mia në mënyrë të këndshme, pa presion. Më thanë se kishte një urdhër që të isha këtu, pa shpjeguar pse. Kështu është arrestuar edhe Rada Trajkoviq”, ka thënë Bogdanoviq.

Ai deklaron se do të qëndrojë në ambientet e policisë në vendkalimin administrativ, për shkak se Serbia është atdheu i tij dhe se nuk mendon se do të kthehet në Kosovë.

“Arsyeja e qëndrimit tim në vendkalim është konferenca për media që u mbajt në Kosovë së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Boban Bogdanoviq, si dhe takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte shumë konstruktiv.

Kurti tregoi respekt për organizatën politike që unë drejtoj dhe regjistrimi i ‘Odgovor’ në Kosovë është duke u bërë”, tha Bogdanoviq.

Bogdanoviq thekson për N1, se ka probleme shëndetësore dhe se duhet të thirret urgjenca.

“Do të pres që shërbimet e urgjencës të bëjnë ekzaminimet e tyre dhe më pas do të flas me një nga efektivët e policisë ose Agjencinë Siguri-Informacion. Kjo është e njëjta torturë si me Rado Trajkoviqin. Kështu mund të mbahem maksimumi 28 orë”, ka përfunduar Bogdanoviq.

/Shqip.com