Lajme

Ndalohen tubimet e fushatës brenda hapësirave të shkollave

Bankat shkollore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka marrë vendim që të ndalohen tubimet e fushatës politike nëpër shkolla, njofton Shqip.com.

Ky vendim është marrë të premten, derisa në të thuhet se partive politike nuk ju lejohet mbajtja e tubimeve politike në hapësirat e ndërtesave shkollore gjatë dhe pas orarit të punës.

“Subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet lokale 2021, nuk duhet t’i mbajnë tubimet politike gjatë dhe pas orarit të punës, brenda hapësirës së ndërtesave të shkollave, dhe të gjitha objektet tjera arsimore ku organizohet procesi mësimor”, thuhet në vendim.

Tubimet e partive politike në shkolla

Më tej njoftohet se hapësirat e jashtme të objekteve mësimore mund të përdoren për fushatë vetëm nëse paraprakisht është marrë leje për organizimin dhe mbajtjen e tubimit nga organet kompetente.

“Hapësirat e jashtme të objekteve të institucionet arsimor mund të përdoren nga subjektet politike të certifikuara për zgjedhjet lokale 2021, vetëm nëse paraprakisht kanë leje për organizimin dhe mbajtjen e tubimeve politike nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe Policia e Republikës së Kosovës nëpër komunat”, thuhet në vendim. /Shqip.com