Lajme

Ndalimi i këshilltares së Kurtit, Kosova kërkon nga Serbia të mos diskriminojë në baza etnike

Zyra e Kryeministrit të Kosovës e ka dënuar ndalimin që i është bërë gjatë ditës nga autoritetet serbe, Ardita Sinanit, këshilltare e kryeministrit Albin Kurti.

“Ndalimi i Këshilltares së Kryeministrit të Republikës së Kosovës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, Ardita Sinani në vendkalimin kufitar Muçibabë nga policia kufitare e Serbisë është shkelje e rëndë e të drejtës themelore të lirisë së lëvizjes”, thuhet në një komunikatë të Qeverisë.

Tutje Zyra e Kryeministrit njofton se Sinani është ndaluar dhe mbajtur për gati një orë sot në pikën kufitare “pa i dhënë arsye për ndalesën e saj e që për qëllim ka frikësimin dhe maltretimin vetëm për shkak të përkatësisë shqiptare”.

“Kjo sjellje e Serbisë, e cila, përveçse nuk lejon edukimin e lartë në gjuhën shqipe dhe punësimin në institucione publike, përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, atë të lirisë së lëvizjes”.

Në fund të komunikatës, ZKM-ja kujton raportin ku është theksuar se Serbia kryen spastrim etnik ndaj shqiptarëve të Luginës.

/Shqip.com