Ndalimi i dinarit / Opozita kërkon që guvernatori i BQK-së të ftohet për raportim në komision
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka mbajtur sot mbledhjen e tij të radhës. Në këtë mbledhje ishte paraparë raportimi i ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe përfaqësueseve të Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore, po i njëjti është shtyrë.
Raportimi nga ana e ministrit Murati është shtyrë për shkak se i njëjti ishte në takim me kryetarët e komunave. Kështu ka thënë kryetari i këtij komisioni, Armend Muja, i cili ka kërkuar që raportimi i ministrit Murati të mbahet të premten.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Avdullah Hoti ka kërkuar që në raportim të thirret edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, për rregulloren e re të BQK-së dhe për zgjedhjen e zëvendës guvernatorit në këtë institucion.
“Kam dy kërkesa për raportim në muajin mars, ju kam shkruar edhe email BQK-së, kam informatat e sakta, ka pas raportime në media për zgjedhjen e një zëvendës guvernatori. Propozoj që bashkë edhe me problemin e Rregullores së BQK-së ta ftojmë guvernatorin e BQK-së dhe bordin”, tha Hoti.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se është mirë që në Komision të ketë një raport se si ka shkuar kompensimi i dëmeve që janë shkaktuar nga vërshimet, pasi sipas tij, nuk dihet sa ka transparencë në këtë pjesë.
“Nuk dihet saktë sa mjete janë ndarë për secilën ekonomi familjare dhe nuk e di sa ka transparencë në këtë pjesë. Kemi ankesa në këtë pjesë, sidomos nga komunat dhe disa ekonomi familjarë për dëmet. Kështu është mirë me pas një transparencë në këtë drejtim”, tha Lushtaku.
/Shqip.com