Ndahen medalje presidenciale për ushtarët e dalluar të FSK-së
Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë medalje presidenciale për ushtarët e dalluar, në shënimin e Ditës së Forcës.
Osmani ndau medalje për ushtarët që treguan performancë të lartë në shkollim, trajnim ushtarak si dhe prezantim të denjë të FSK-së.
Nëntorger, Arilena Shala, rreshter Fazli Kashtanjeva, kapiten Fitim Kadrijaj, rreshter Hysen Fetahu, nëntoger Iliran Bunjaku dhe tetar Sokol Ahmeti – janë ushtarët e dalluar që u dekoruan nga presidentja Osmani.
Para trupave, Osmani ka thënë se ushtria e Kosovës po shndërrohet në ushtri moderne, duke shtuar më tej se e ka vendin në NATO.
“Jam e lumtur se që nga nëntori i vitit të kaluar kur shënuam ditën tuaj, forcat tona kanë shënuar një zhvillim të hovshëm duke u shndërruar nga ruajtëse e paqes së brendshme në faktor të rëndësishëm për ruajtjen e sigurisë globale.”
“Si partner i besueshëm i ushtrisë më të fuqishme në botë, asaj të Amerikës, dhe partnerëve të tjera brenda NATO-s. Muaj më parë pjesëtarë të FSK për herë të parë zbarkuan në një mision paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt. Ky ishte hapi i parë por tepër i rëndësishëm për të parë të realizuar ëndrrën tonë”, ka thënë ajo.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka premtuar ushtarëve se do t’i trajtojë dhe do t’i zgjidhë sfidat me të cilat përballet FSK-ja.
“Kemi sfida si shembull puna për motivimin e ushtarëve sepse disa po largohen e duhet riparë struktura e FSK-së, mundësia e gradimit brenda njësisë, rregullimi i pagave dhe mëditjeve, rrezikshmëria në punë, si dhe të ketë vija të transportit në të gjitha qytetet kryesore të Kosovës”.
“Njësitë operacionale të pajisjen edhe me armë të shkurta sepse ka pengesa që shkakton arma e gjatë në punët profesionale, tu jepet përparësi njësive operacionale e për këtë kërkoj angazhimin e ministrit. Të gjitha do t’i trajtojmë e do t’i zgjidhim”, ka deklaruar Kurti./SHQIP.com