Ekonomi

Ndahen 5.8 milionë euro për përballje me inflacionin

Qeveria e Kosovës po mban mbledhjen e radhës. Në këtë mbledhje është vendosur që të ndahen 5.8 milionë euro për përballje me inflacionin.

Në fjalën e tij para anëtarëve të kabinetit qeveritar, Ministri i Financave, Hekuran Murati ka theksuar se këto mjete shtesë do ndahen pas rikthimit të mjeteve në pakon e ringjalljes ekonomik.

“Tani që kemi rikthim të mjeteve në pakon e ringjalljes ekonomike mund të vijojmë me ndarje shtesë. Pra bëhet fjalë në pakon në përballje me inflacionin, që kanë qenë masat qoftë për mbështetjen e sektorit publik apo edhe punëtorëve në ndërmarrje publike dhe studentëve, që kanë mbetur ende disa pa e marrë mbështetjen sipas pakos, si dhe është edhe ndarje shtesë në kuadër të masës për subvencionim të kursimit të energjisë elektrike. Pra në tërësi shuma është 5.8 milionë euro që duhet të ndahet, përkatësisht në këto tri masa mbështetëse”, tha ai.

Kjo pikë e rendit të ditës është miratuar nga ana e të gjithë anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Po ashtu Qeveria e Kosovës ka vendosur në mbledhjen e së martës të shtojë edhe 5,4 milionë euro për subvencionimin e tarifave të energjisë elektrike.

/Shqip.com