Lajme

NBC: SHBA do t’i dërgojë në Kosovë afganët që dyshohen për lidhje me talebanët

Afganët gjatë një evakuimi në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai, Kabul, Afganistan, 21 gusht 2021

Shtetet e Bashkuara të Amerikës planifikojnë të dërgojnë në Kosovë refugjatët afganë që pas verifikimit të parë dalin të dyshimtë për lidhje me talebanët, ka raportuar të premten mediumi i njohur amerikan “NBC”.

Ata do t’i nënshtrohen një verifikimi të mëtutjeshëm në Kosovë, transmeton Shqip.com.

Sipas raportimit, deri tash janë rreth 100 afganë të tillë që kanë ngritur shqetësim pas verifikimit të tyre. Ndërsa të paktën dy nga ta do të dërgohen në Kosovë për rishikim të mëtejmë.

Burimet paralajmërojnë, megjithatë, se zyrtarët federalë po veprojnë me shumë kujdes, dhe vetëm për shkak se një person ka ngritur shqetësim, nuk do të thotë se ata janë terroristë ose përbëjnë kërcënim. Diçka në profilin e tyre – emri, prejardhja ose një numër në celularin e tyre – ngriti shqetësim të mjaftueshëm saqë nuk mund të lejoheshin të qëndronin në SHBA në pritje të shqyrtimit shtesë, sipas burimeve.

“Shumë njerëz u zhvendosën shumë shpejt dhe komuniteti i inteligjencës ka punuar shumë për të vlerësuar nëse ndonjë prej tyre paraqet kërcënim,” tha një zyrtar i lartë i zbatimit të ligjit federal. “Disa nga verifikimet ndodhin ndërsa janë jashtë shtetit, dhe disa prej tyre ndodhin këtu … Ne nuk do të lejojmë që njerëzit të lirohen qëllimisht në komunitet nëse kanë informacione të pazgjidhura nënçmuese.”

Çdo evakuim tjetër që shkakton shqetësime të ngjashme do të dërgohet në Kosovë, thanë burimet.

Nga më shumë se 30 mijë të evakuuarit nga Afganistani në SHBA, rreth 10 mijë i janë futur verifikimit deri të premten, dhe se nga ta rreth 10 kanë dalë të dyshimtë për lidhje me grupe terroristësh.

Zyrtarisht SHBA-ja ka refuzuar të komentojë këto raportime.

Deri tash në Kosovë janë pranuar rreth 500 refugjatë nga Afganistani. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati deklaruar se Kosova do t’i pranojë rreth 2000 refugjatë./SHQIP.com