Lajme

NATO me urim të veçantë për Shqipërinë në ditën e Pavarësisë

Flamuri i NATO-s

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), ka uruar Shqipërinë në 109 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, njofton Shqip.com.

Me anë të një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Organizata më e madhe ushtarake në botë NATO, ka shpërndarë një foto me uniformën ushtarake të Shqipërisë duke iu bërë thirrje edhe shteteve të tjera t’i bashkohen festës.

“Bashkohuni me ne për të festuar me aleatin tonë, Shqipërinë në ditën e tyre të Pavarësisë”.

Në Festën e Pavarësisë, Shqipërinë e kanë uruar edhe shumë aleatë të rëndësishëm, duke përfshirë SHBA-të, presidenti i të cilës, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Shqipërinë, ndërsa kërkoi të luftohet korrupsioni “për të siguruar një klimë transparente dhe të barabartë sipërmarrjeje”.

Gjithashtu shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka përcjellë urimet të gjithë popullit shqiptar për këtë ditë, ndërsa thekson se SHBA është krenare që e quan Shqipërinë, vend mik dhe aleat. /Shqip.com