Lajme

NATO dhe G7 i ofrojnë garanci afatgjata sigurie Ukrainës 

Shtatë vendet më të zhvilluara të botës ofruan garanci afatgjata sigurie për Ukrainën pas takimit të Këshillit të ri NATO-Ukrainë që u mbajt krahas takimit të nivelit të lartë të NATO-s në Lituani. Formati i ri u krijua për të forcuar bashkëpunimin midis Kievit dhe aleancës 31-vendeshe.

Presidenti ukrainas pasi shprehu dje pakënaqësinë që NATO nuk i ofroi një afat të caktuar Ukrainës për anëtarësim, sot vlerësoi se takimi i NATO-s megjithatë solli rezultate të mira për vendin që po lufton sulmin ushtarak rus që filloi në shkurtin e vitit të kaluar. Presidenti amerikan, Joe Biden, mbajti edhe një takim kokë me kokë me presidentin Zelensky pas takimit të Këshillit të ri NATO-Ukrainë.

Shtatë vendet më të zhvilluara të botës ofruan sot kornizën ndërkombëtare që do të hapë rrugën për garancitë afatgjata të sigurisë për Ukrainën për të rritur mbrojtjen e saj kundër Rusisë dhe për të penguar agresionin e ardhshëm.

Takimi i Këshillit të ri NATO-Ukrainë u mbajt një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, e cilësoi si “absurd” refuzimin e NATO-s për t’i bërë ftesë ose ofruar një afat të caktuar për anëtarësimin e Ukrainës në aleancë.

Ukraina ka kërkuar me këmbëngulje anëtarësim të shpejtë në NATO ndërsa lufton kundër agresionit rus që filloi në shkurt të vitit 2022. Kjo luftë deri më tani ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.

Megjithatë, pas diskutimeve të sotme të Këshillit të ri për Ukrainën me shtatë vendet më të zhvilluara të botës, presidenti Zelensky vlerësoi se takimi në Lituani po përfundon me sukses kuptimplotë për vendin e tij.

Ai vlerësoi deklaratën e presidentit amerikan, Joe Biden, ku ofroheshin garanci afatgjata për Kievin.

“Ne nuk do të presim që të përfundojë procesi i anëtarësimit në NATO për të ofruar përkushtim afatgjatë të sigurisë për Ukrainën. Sot, premtimi për përkushtim afatgjatë përfshin dhënien e garancive për t’u përballur me çfarëdo agresioni ndaj Ukrainës në të ardhmen”, tha presidenti amerikan ndërsa sqaroi se rruga e Ukrainës drejt NATO-s megjithatë do të jetë me një proces të lehtësuar në raport me atë që duhej ta kalonin vendet e tjera.

“Delegacioni ukrainas po kthehet në shtëpi me fitore të rëndësishme sigurie për Ukrainën. Kjo na hap mundësi absolutisht të reja sigurie dhe falënderoj të gjithë ata që e bënë të mundur”, tha presidenti ukrainas, Zelensky.

Presidenti Biden pati më pas edhe një takim të veçantë me presidentin ukrainas Zelensky të cilit i tha se ia kupton zhgënjimin pse Kievit nuk iu ofrua një afat I qartë për anëtarësim në NATO.

Kremlini reagoi ndaj lajmit duke vlerësuar se vendimi cenon sigurinë e Rusisë dhe do ta ekspozonte Evropën ndaj rreziqeve më të mëdha për shumë vite në vijim.

“Ne e konsiderojmë vendimin për t’i dhënë garanci të sigurisë Ukrainës një gabim të rëndë dhe potencialisht shumë të rrezikshëm. Duke i ofruar këto garanci të sigurisë për Ukrainën, ata shkelin sigurinë e Federatës Ruse. Kjo është e mbushur me pasoja negative afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i presidencës ruse.

Pak para se t’i bashkohej takimit të Këshillit NATO-Ukrainë, zoti Zelensky e bëri të qartë se cilat janë tri prioritetet e vendit të tij.

“E para është furnizimi me armë për të mbështetur ushtrinë tonë në fushën e betejës. E dyta, mendoj se është ftesa në NATO, dhe ne duam të jemi në të njëjtën linjë me të gjithë. Nga ajo që dëgjojmë dhe kuptojmë është se do ta kemi ftesën kur të lejojnë masat e sigurisë. Dhe e treta, garancitë e sigurisë për Ukrainën në rrugën drejt NATO-s”, tha presidenti ukrainas, Zelensky.

Për ushtarët ukrainas në vijën e parë të frontit në qytetin e Bakhmutit ekziston vetëm një prioritet, më shumë armë dhe municion.

Ukraina të mërkurën raportoi se është arritur njëfarë suksesi në luftimet pranë qytetit lindor të pushtuar nga Rusia, ndërsa trupat e saj po vazhdojnë me kundërofensivën kundër forcave të Moskës.

“Për momentin, ne kemi nevojë që vendet e NATO-s të na furnizojnë me armë. Ne nuk kemi nevojë për asgjë tjetër. Paratë nuk kanë vlerë për ne, për luftëtarët që janë në vijën e parë. Ajo që është thelbësore për ne është të kemi municion dhe armë në mënyrë që të mund të përparojmë”, tha udhëheqësi i inteligjencës në divizionin e artilerisë që u identifikua me nofkën ushtarake ‘Zaporozhets’.

Rusia mori nën kontroll Bakhmutin në maj pas disa muajsh luftimesh të ashpra që shkatërruan qytetin. Përtej versioneve të ofruara nga palët në konflikt, situata është e pamundur të verifikohet nga burime të pavarura. /VOA

/Shqip.com