Lajme

Nagavci uron mësimdhënësit në ditën e tyre: Mësimdhënia është mision

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka uruar mësimdhënësit për ditën e tyre.

Përmes një video-mesazhi, Nagavci tha se mësimdhënia është një mision.

“Të dashur mësimdhënës. Po shënojmë sot një ditë të rëndësishme të historisë tonë kombëtare, 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe të shkollës shqipe. Dita që simbolikisht shënon rrugëtimin e gjatë të zhvillimit dhe të avancimit të shoqërisë shqiptare, të një pune të jashtëzakonshme dhe një përpjekje të pareshtur për të ndriçuar rrugën e brezave të tërë. Mësimdhënia mbi të gjitha është një mision sidomos në rrethanat në të cilat jemi gjendur ne, kur krahas arsimit është bartur brez pas brezi edhe fryma e atdhedashurisë dhe kërkesës së fuqishme për liri e shtet”, tha Nagavci.

Ministrja e Arsimit tha se misioni i tyre mbetet këmbëngulja për punë e për përkushtim.

“Prandaj dhe kujtojmë me nderim të gjithë ato mësimdhënëse dhe mësimdhënës që i falen etën arsimit shqip ndër vite. Sot misioni ynë mbetet këmbëngulja për punë dhe përkushtim, angazhim të gjithmbarshëm të mësimdhënësve tanë për ta avancuar mësimdhënien dhe për ta bërë atë konkurrente me vendet e zhvilluara. Si mësimdhënëse dje, dhe si ministre sot, njoh dhe vlerësoj pafundësisht punën tuaj. Do të vazhdoj të jem zëri juaj në përpjekjen për të bërë më të mirën për fëmijët tanë”.

Tutje, Nagavci iu drejtua mësimdhënësve duke i uruar që të kenë vullnet dhe motiv që fëmijët t’i përgatisin për të ecur sigurt me bashkëmoshatarët e tyre kudo në botë.

/Shqip.com