Lajme

Nagavci u bën thirrje mësimdhënësve të kthehen në punë: Greva e ka humbur çdo kuptim

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, thotë se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe e Kulturës (SBASHK), po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë, presidenten dhe me Avokatin e Popullit.

Nagavci shprehet se si qeveri kanë pritur që SBASHK të tregojë gatishmëri për të filluar mësimi ndërsa thekson se “greva e ka humbur çdo kuptim”.

“Fatkeqësisht, Sindikata e Arsimit përveçse po refuzon bashkëpunimin me Qeverinë, ka dështuar dhe refuzuar edhe rolin ndërmjetësues të Presidentes e tash së fundi edhe të Avokatit të Popullit.

SBASHKU tanimë po e dëshmon se grevën nga një instrument e ka shndërruar në objektiv në vete. Si e tillë, greva e ka humbur çdo kuptim andaj, si ministre e Arsimit ftoj mësimdhënësit anembanë Kosovës që, nga nesër t’u kthehen shkollave”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ilustrim

Ndër tjerash, ministrja e Arsimit njoftoi se me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati, kanë takuar Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, për të biseduar rreth grevës në arsim.

Nagavci bëri të ditur se Qeveria e Kosovës, në fund të vitit 2022, do ta rivlerësojë situatën e krijuar dhe në akordim me konkluzionet e nxjerra “do të vendoset për periudhën e re të ofrimit të shtesave mbi pagë, nivelin e shtesës dhe kategoritë shoqërore të mbuluara”.

Kujtojmë, se nga 25 gushti, administrata publike dhe mësimdhënësit janë në grevë, pasi po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Ndërsa, lidhur me këtë çështje qeveria ka ofruar nga 50 euro për 3 muaj , shumë kjo e cila u refuzua nga grevistët.

Ndërkohë që kjo SBASHK-u ka paralajmëruar se orët e humbura të mësimit nuk do të zëvendësohen./Shqip.com