Nagavci: Pupovci ende nuk e ka dorëzuar dorëheqjen

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e ka komentuar dorëheqjen e zëvendësministrit të këtij dikasteri, Dukagjin Pupovci.
Sipas saj, Pupovci e ka njoftuar se për arsye personale dhe shëndetësore vetëm deri në fund të vitit do të jetë në këtë pozitë.
Tutje, ajo ka thënë se deri më tani nuk ka pranuar dorëheqje formale, por vetëm njoftim.
“Ka treguar që për arsye personale shëndetësore ka kërkuar që me qenë në pozitë deri në fund të këtij viti… Dorëheqje nuk ka dorëzuar”, u shpreh Nagavci për KP.
Ndryshe, zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Dukagjin Pupovci, këtë pozitë do ta mbajë vetëm deri në fund të vitit 2022.
Pupovci tha për Shqip.com tha se arsyejet janë personale.
“Është e vërtetë se kam planifikuar që deri në fund të vitit 2022 të tërhiqem nga posti i zëvendësministrit të MASHTI dhe këtë ja kam komunikuar Ministres Nagavci dhe Kryeministrit Kurti në tetor. Arsyet janë të natyrës personale.
Për korrektësi, dorëheqjen formale nuk e kam paraqitur akoma, por këtë do ta bëj në kohën e duhur, kur t’i përfundoj edhe disa punë që i kam filluar dhe në koordinim me Ministren e Kryeministrin”.
Megjithatë, Pupovci thotë se pas dorëheqjes si zëvendësministër, do të mbetet aktiv në fushën e arsimit.
/Shqip.com