Nagavci për 36 viktimat e COVID-19: Jetë të këputura

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas vdekjes së 36 qytetarëve si pasojë e COVID-19, ajo këto vdekje i ka cilësuar si “jetë të këputura”.
“Ngushëllime familjeve dhe miqve të atyre që humbën më të dashurit nga kjo pandemik”, ka shkruar ajo në Facebook.
“Gjendja është e rënduar dhe e paparashikuar tek ne dhe gjithandej në vende të ndryshme të botës”.
Ajo kërkoi që t’i respektojmë plotësisht rekomandimet e profesionistëve.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën ka njoftuar edhe zyrtarisht se viti i ri shkollor është shtyrë deri më 13 shtator.
Ai në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka tha se kanë qenë të ”detyruar” për ta marrë këtë vendim në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19.
“Jemi të detyruar që paralelisht me vaksinimin masiv të marrim edhe masa kufizuese që kanë për qëllim ndërprerjen sa më të shpejtë të trendit të rritjes së rasteve me COVID-19. Jemi të detyruar që ta shtyjmë fillimin e vitit të ri shkollor”, kishte deklaruar shefi i qeverisë para ministrave të tij.
Ditë më parë, kryesia e Këshillit të Prindërve e Prishtinës ka kërkuar shtyrje e fillimit të vitit të ri shkollor me prezencë fizike në shkolla, nëse nuk përmirësohet gjendja me pandeminë./SHQIP.com