Lajme

Nagavci: Nuk është trajtuar në asnjë mënyrë e drejta kushtetuese e fëmijëve për shkollim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku sipas këtij vendimi thuhet se ajo ka shkelur Kushtetutën me ndërhyrjen në reformën në Arsim në komunën e Kamenicës.

Nagavci ka thënë se nuk u trajtua e drejta kushtetuese e fëmijëve për shkollim.

“Gjykata i trajton çështjet sipas kërkesave të parashtruesit, dhe kërkesa e ish-kryetarit të Kamenicës ka qenë, pyetja eksplicite se: a ka ndërhy Ministria e Arsimit në kompetencat e Komunës. Përtej aspektit formal, a është ndërhyrje në kompetencë të komunës, nuk është trajtuar në asnjë mënyrë e drejta kushtetuese e fëmijëve për shkollim.

Ne i kemi dërgu komentet tona. Ajo që ka qenë e rëndësishme është se nga ky vendim nga komuna kanë dërguar komente, prova shtesë, pas përgjigjeve tona. Nuk e di se çfarë prova kanë dërguar komuna”, tha Nagavci në Kanal10.

Me anë të një vendimi, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka pranuar kërkesën e Komunës së Kamenicës dhe ka hedhur poshtë vendimin e MASHTI-t për arsim alternativ të përshpejtuar në këtë komunë, duke vlerësuar se nuk është në përputhje me ligjin.

Ky rast ndërlidhej me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës më 2019, që ishte iniciuar përmes vendimit të kryetarit të komunës me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore.

Por, me pakënaqësinë e disa prindërve të nxënësve të afektuar që refuzuan zbatimin e vendimeve të komunës, më 2021 MASHTI formoi një komision për vlerësimin e mosvijueshmërisë së mësimit nga ana e 441 nxënësve, ku kishte rekomanduar që për të adresuar situatën, MASHTI dhe Komuna duket: (i) ndërmarrin veprime të harmonizuara; dhe (ii) të themelojnë grup punues për analizimin e situatës në shkolla.

Megjithatë, MASHTI, nxjerri Vendimin e kontestuar, bazuar në të cilin organizoi “mësimin alternativ të përshpejtuar për 441 nxënësit e Komunës së Kamenicës”. Vendimin e kontestoi Komuna e Kamenicës duke pretenduar se ministria kishte ndërhyrë në kompetencat vetanake të komunës.

Në vazhdim, Gjykata theksoi nenin 17 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale sipas të cilit komunat kanë kompetenca “të plota dhe ekskluzive” në ofrimin e arsimit publik, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, etj./Shqip.com