Lajme

Nagavci kërkon që mësimi të fillojë: Projekligji i ri do t’i trajtoj me dinjitet punëtorët e arsimit

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga mësimdhënësit që të fillojnë procesin mësimor.

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci i ftoi mësimdhënësit që të kontribuojnë me komente dhe sugjerime për Projektligjin për paga.

“Ftoj të gjithë mësimdhënësit në Kosovë që të fillojnë mësimin dhe ndërkohë të japin edhe kontributin e tyre me komente e sugjerime, që të kemi një Projektligj sa më të mirë për pagat. Do të jemi gjithmonë pranë mësimdhënësve dhe punëtorëve tjerë të arsimit për të tejkaluar çdo vështirësi dhe së bashku të kujdesemi që fëmijëve tanë t’ju ofrojmë arsimim cilësor”, shkroi Nagavci.

Nagavci tha se Projektligji për Paga do të trajtoj dinjitetshëm punëtorët e arsimit.

“Me Projektligjin e ri për Paga punëtorët e arsimit për herë të parë po trajtohen dinjitetshëm me ligj dhe do të kenë koeficientin më të lartë se që e kanë pasur ndonjëherë”.

Sipas projektligjit të ri, Nagavci tha se paga e punëtorëve të arsimit do të jetë më e lartë.

“Në ligjin për paga të anuluar nga Gjykata Kushtetuese, paga bazë e një mësimdhënësi të shkollës së mesme të lartë ka qenë sa 26% të pagës më të lartë në vend, ndërsa me projektligjin e ri është 32% e pagës më të lartë; paga e një mësimdhënësi në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ka qenë 23-24.5% e pagës më të lartë, ndërsa tani është 31%; etj”.

Ministrja e Arsimit tha se projektligji për pagat në sektorin publik tashmë është në dëgjim publik.

Nagavci po ashtu tha se ky Projektligj ofron shumë më shumë se ajo më të cilën ishin pajtuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në ligjin e fundit.

Disa shkolla në vend kanë dalur kundër vendimit të SBASHK-ut për të vazhduar grevën deri sa Qeveria e Kosovës të përgjigjët kërkesave të tyre.

Kujtojmë, se nga 25 gushti, administrata publike dhe mësimdhënësit janë në grevë, pasi po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Ndërsa, lidhur me këtë çështje Qeveria ka ofruar nga 50 euro për 3 muaj. Shumë kjo e cila u refuzua nga grevistët./Shqip.com