Lajme

Nagavci: Janë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e fillimit të vitit të ri shkollor, por çdo vendim do të merret duke respektuar udhëzimet e profesionistëve shëndetësorë.

Përmes një postimi në Facebook, MASHTI ka bërë të ditur se Nagavci ka mbajtur një takim me drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit, përfaqësues të SBASHK-ut dhe ata të Këshillit të Prindërve në Prishtinë.

Nagavci tha se situata epidemiologjike në javët e fundit ka qenë e rënduar dhe vazhdon të mbetet, teksa ka përmendur rëndësinë e vaksinimit të mësimdhënësve dhe prindërve.

“Ministrja bëri të ditur se është rishikuar udhëzuesi dhe protokollet për mësim në situatë pandemie derisa shtoi se në vizitat që ka zhvilluar në shkolla është informuar se janë të gatshme për fillimin e vitit shkollor”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e MASHT-it.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka thënë se apeli i tyre dhe MASHT-it për vaksinim ka ndikuar pozitivisht te mësimdhënësit, duke shtuar se janë të gatshëm të fillojnë vitin e ri shkollor.

Kurse, kryetari i Këshillit të Prindërve në Prishtinë, Jeton Demi, ka theksuar se presin që Udhëzuesi të jetë në harmoni me skenarët.

Ndryshe, më 30 gusht kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID-19, në të cilat është shtyrë edhe fillimi i vitit të ri shkollor deri më 13 shtator, për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19./Shqip.com