Lajme

Nagavci: Jam njoftuar nga mediat që më është ngritur aktakuzë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se është njoftuar nga mediat për ngritjen e aktakuzës ndaj saj për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Nagavci ka shprehur keqardhje duke thënë se si është e mundur që institucionet përgjegjëse të mos njoftojnë personin ndaj të cilit është ngritur aktakuza para çdokujt tjetër.

“Për aq sa u njoftova nga mediat, aktakuza ka të bëjë me angazhimin tonë në kundërshtim të marrëveshjeve të dëmshme, përkatësisht “Zajednicë” e “Demarkacion”, njëra që cungonte sovranitetin, tjetra territorin e Kosovës. Nëse asokohe isha e sigurt, sot në vitin 2022 jam edhe më e bindur se kundërshtimi dhe rezistenca përveçse i drejtë ishte edhe i domosdoshëm. Deputeti betohet në respektimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës dhe pas vendimit të GJK-së me 2015 mosveprimi ndaj cenimit që po i bëhej vendit do të përbënte shkelje e betimit të deputetit”, ka shkruar Nagavci.

Ajo gjithashtu ka thënë se dëmet e këtyre marrëveshjeve janë duke i vuajtur edhe sot.

“Ndihem krenare që isha në anën e kundërt me politikën që sjellte kompromise, dëmtonte vendin dhe shkatërronte të ardhmen e qytetarëve”, ka shkruar Ministrja e Arsimit./Shqip.com