Kulturë Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ka treguar se “ka artefakte pothuajse nga të gjitha komunitetet, nga lufta e fundit kemi armë nga komuniteti serb, e duke vazhduar edhe në muzeun etnologjik”

Muzeu i Kosovës përmban artefakte pothuajse të të gjitha komuniteteve

Muzeu i Kosovës

Pothuajse e tërë kultura e historia e Kosovës, gjendet si dëshmi e një vendi shumë etnik në Muzeun Kombëtar.

Njashtu si të gjashtë yjet në flamur, muzeu përfaqëson  kulturën e secilit komunitet.

Drejtori i Muzeut, Ajet Leci, tregon që muzeu përmban artefakte nga sektori arkeologjik, ontologjik e ai i historisë.

“Ka artefakte pothuajse nga të gjitha komunitetet, nga lufta e fundit kemi armë nga komuniteti serb, e duke vazhduar edhe në muzeun etnologjik”, ka thënë Leci për Shqip.com.

Ndërkaq, përfaqësuesja e muzeut etnologjik, Erodita Qorkadiu-Haxhiu, tha se përveç veshjeve kombëtare të Kosovës, ka edhe prej atyre që përfaqësojnë edhe kulturën e komuniteteve të tjera.

“Një numër të madh të veshjeve të kulturës së pothuajse të gjitha komuniteteve të Kosovës, nga komunitetit goran, dhe të tjerëve”, ka thënë ajo.

“Ka materiale nga e gjithë Kosova, të tekstilit, drugdhendjes, instrumente muzikore, si dhe veshje të burrave”, ka shtuar tutje Qorkadiu-Haxhiu.

Artefakte nga Muzeu i Kosovës

Kosovës ju morën 1650 eksponate “në besë” nga Serbia

Ndonëse, historia e kultura e Kosovës është e shfaqur e përcjellë mirë nga artefaktet, ka të tilla që dikur i përkisnin muzeut por tani ndodhen në Muzeun e Beogradit, që dikur ishin dhënë në “besë” të kthimit.

Pjesa e artefakteve që janë marrë gjatë kohës së luftës janë në mbi 1650 eksponate.

Për këtë, drejtori Leci tha se janë marrë në vitet 1998-99 për një ekspozitë të përkohshme në Beograd, por që nuk i kanë kthyer ende.

“Në vitin e kaluar kemi bërë kërkesë zyrtare që të kthehen artefaktet sepse janë tonat, ka qenë marrëveshje e nënshkruar mes dy muzeve të Kosovës dhe atij të Serbisë, që ajo ekspozitë ka qenë e përkohshme edhe eksponatet të shkojnë për një kohë të caktuar, por që nuk u kthyen prapë, kemi dokumente që janë të shkruara dhe artikuluara të marrëveshjes.”, ka shtuar Leci.

Nga plotë 1650 eksponate është kthyer vetëm një, ajo e hyjneshës në Fron, e cila i takon periudhës së neolitit 3500-4000 para erës së re dhe që është zbuluar në Prishtinë, e që nga Serbia është kthyer në vitet 2001-2002.

Artefakte nga Muzeu i Kosovës

Përmes Muzeut, tregohet historia e Kosovës që nga parahistoria e deri te shpallja e Pavarësisë.

Muzeu Kombëtar përmban artefaktet me një vjetërsi që datojnë nga koha e gurit, parahistorisë, e deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Për këtë pasuri kulturore, cicerone Mimoza Goçi Dragusha, thotë që ka shumë  të interesuar e vizitorë.

Vizitorët e huaj, sipas Goçi Dragushës, vendin e parë që vendosin të vizitojnë në Kosovë, është Muzeu Kombëtar.

“Vijnë në grupe të organizuar, ose individualisht, të parën vizitë e bëjnë te muzeu i Kosovës, që të njihen me historinë kulturën, e traditën.”

“Kuptojnë sa të lashtë jemi, të gjitha kjo me periudhat që tregon lashtësinë, kulturën traditën, deri tek lufta e fundit e UÇK-së, vitet 1999, ndoshta kanë mundur të dëgjojnë për periudhën e arkeologjisë, mirëpo për luftën në Kosovë është më e panjohur, e këtu prezantohen si është zhvillu lufta çka ka pasë, gjatë luftës si ka qenë, kush kanë qenë e kështu me radhë”, ka thënë ajo.

Artefakte nga Muzeu i Kosovës

Ajo thotë se numri i të interesuarve është shumë i madh, nga grup mosha të ndryshme e sidomos nga ndërkombëtarët.

Muzeu Kombëtar është i themeluar në vitin 1949 dhe është muzeu më i madh në Kosovë, i vendosur në një ndërtesë të stilit austro-hungarez nga viti 1889 e që më parë ka shërbyer si seli e lartë e komandës ushtarake.

Vazhdon të mbetet institucioni kryesor që përfaqëson trashëgiminë kulturore të Kosovës./Shqip.com

Artefakte nga Muzeu i Kosovës