Lajme

Mustafi i reagon Vuçiqit: Jemi mbi 100 mijë shqiptarë në Luginë

Kryetari i Këshillit Kombëtar shqiptar, Ragmi Mustafi ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq lidhur më numrin e shqiptarëve në Luginë.

Mustafi tha se nuk janë aq sa dëshiron ai, por janë më shumë se 100 mijë shqiptarë.

“Z.Vuçiq, shqiptarë në Luginë nuk janë aq sa ju dëshironi, nuk janë as 1118 shqiptar sa keni pretenduar për vite, janë shumë, shumë më shumë. Në një prononcim Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, paska thënë që “pas regjistrimit, i cili është në vazhdim, nuk do të dihet më numri i saktë i shqiptarëve në Serbi, sepse shumë familje në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë regjistrojnë anëtarë që nuk jetojnë në Serbisë.”

Ai tha se deklaratat e tilla, përveç se nuk ndihmojnë procesit të regjistrimit “e nxisin tensionim të situatës, madje është parapërgatitja e valës së re të kontestimit të numrit të saktë e të vërtetë të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”.

“Deklarimet e tuaja nuk mund të kuptohen ndryshe përveç se në shërbim të devijimit të numrit real të shqiptarëve në përfundim të procesit regjistrimit popullsisë. Nuk mund të jenë të shkëputura nga pengesat e paraqitura në Medvegjë. Z.President, lexoni kushtet për regjistrim, të informoheni para se të jepni deklarata tendencioze në të cilat sulmoni një komunitet i cili është i shtypur vazhdimisht!”.

Ai ka ftuar  bashkësinë ndërkombëtare të monitorojë dhe të mos lejojë shtrembërimin e shifrave në përfundim të procesit regjistrimit popullsisë.

Ndryshe, procesi i regjistrimit të popullsisë në Luginë ka filluar me 1 tetor dhe do të përfundoi me 31 të këtij muaji.

/Shqip.com